Viti 2020 ka nisur me masa të rrepta nga Policia e Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka zhvilluar një takim në drejtorinë e Tiranës me drejtuesin, shefat e krimeve, rendit dhe sektorësh të ndryshme mbi ngjarjet e fundit kriminale dhe analizën mbi atë që është bërë deri tani.
Mësohet se Veliu ka dhënë dy urdhra. I pari lidhet me heqjen e telefonave nga efektivët e policisë gjatë shërbimit për të shmangur rrjedhjen e informacionit apo dekonspirimet. Sipas urdhrit të ri, disa kategori të strukturave të policisë, përfshirë ata që janë në terren nuk duhet të mbajnë telefonat me vete por ti dorëzojnë përpara se të nisin shërbimin, ndërsa komunikimi do të bëhet vetëm me radion e policisë.
Urdhri i dytë lidhet me agjentët e policisë, për të cilët Veliu ka kërkuar që në fund të ditës të përpilojnë një procesverbal mbi rutinën, cfarë kanë hetuar, kontrolluar apo takuar gjatë ditës. Viti ka filluar më disa ngjarje kriminale, pjesa më e madhe e të cilave janë të pa zbardhura akoma.
Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten problem në vendin tonë, kështu siguria rrugore bëri bashkë disa ditë më parë ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, ministren e Infrastrukturës, Belinda Ballu, kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si edhe kryebashkiakë e ekspertë të fushës. Në fjalën e tij, Lleshaj bëri edhe një rrezume se çfarë parashikohet të bëhet në të ardhmen për të shmangur sa më shumë aksidentet.
”Vetëm për një javë janë hequr 371 leje drejtimi dhe ende persiston një lloj sjelljeje në rrugë e papranueshme. Bie në sy një sjellje agresive në rrugë. Kemi ende përdorues rruge që nuk e meritojnë lejen e drejtimit që kanë. Ka ardhur koha të mendojmë për teste psikologjike për drejtuesit e mjetit që verifikojnë stabilitetin psikologjik të tyre. Në Gjermani quhet testi i ” idiotit””.
Nga ana tjetër, ai tha se kemi më shumë të vrarë nga aksidentet sesa nga dora e krimit. ”Ky takim ka rëndësi të marrë, përpjekje fillestare që do vazhdojë për 2020 meqë është viti i sigurisë rrugore. Vetëm në 2019 vdiqën 227 persona humbën jetën nga aksidentet, më e lartë se shifra e krimit që shkon deri në 50 të vrarë. Kemi shum të vrarë në rrugët e vendit që duhet të ulen”.