“Ve alejkes-Selam…”, Myftiu i Shkodres promovon botimin e dytë të librit…

Shpërndaje

Libri i ri: “Ve alejkes-Selam…”, mbledh studiues e imamë në një bashkëbisedim intelektual

Paraditën e së shtunës, më 23 janar 2021, Myftinia Shkodër organizoi një bashkëbisedim rreth promovimit të botimit të dytë të librit: “Ve alejkes-Selam…”, të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, botuar nga Shtëpia botuese ASR, Tetovë, 2020.

Rreth këtij libri dhe botimeve të realizuara ndër vite nga Imam Muhamed B. Sytari diskutuan shkrimtari Xhahid Bushati, teologu Lavdrim Hamja, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vendet Arabe, z. Muamer Vuci, drejtori i bibliotekës së Shkodrës, z. Maxhid Cungu dhe drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi.

Në fjalët e tyre, ata vlerësuan autorin për kontributin e dhënë ndër vite me botimet e tij të shumta në shërbim të Thirrjes Islame dhe vlerave të trashëgimisë së besimit dhe fesë në shoqërinë tonë.

Ata thanë se libri: “Ve alejkes-Selam…” dhe botimet e tjera të këtij zhanri mga Myftiu Sytari, janë pjesë e amanetit të Shkollës së Thirrjes Islame, si dhe një kontribut i çmuar i Myftiut të Shkodrës karshi besimtarëve dhe lexuesve të nderuar.

Nga ana e tij, autori i librit, Imam Muhamed B. Sytari, shprehu mirënjohjen e tij për të pranishmit dhe lexuesit, duke vënë theksin tek vlera e librit në përgjithësi, si një simbolikë e shenjtë, me të cilën, Zoti i gjithësisë ka cilësuar edhe Fjalën e Tij të shenjtë!

Myftiu tha se përballë çdo pengese e vështirësie në jetë, besimtari është i ftuar të jetojë me dinjitet, i kapur fort pas urtësisë së besimit dhe udhëzimeve të tij, që përgjatë shekujve e kanë drejtuar njeriun drejt lartësive.

Aktiviteti i sotëm mblodhi imamë, teologë, studiues, shkrimtarë e intelektualë, që uruan Myftiun e Shkodrës për këtë botim të ri dhe uruan suksese dhe mbarësi në botime të reja me dobi për komunitetin.

Myftinia Shkodër, 23 janar 2021

Shpërndaje