Stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët janë 3 kategoritë e para në vendin tonë, të cilët janë të detyruar të vaksinohen kundër Covid-19. “Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit vendosi këtë të hënë rekomandimin e vendosjes së vaksinimit të detyruar, për grupet më të rriskuara nga marrja dhe sidomos nga shpërndarja e infeksionit, duke filluar me stafet mjekësore, me arsimtarët dhe me studentët”, tha Mira Rakacolli.
“Vlerësohet që Shtatori duke qenë muaji i hapur të jetë periudha që të gjithë këto grupe të kryejnë vaksinimin dhe deri në datën 30 Shtator të dorëzojnë vërtetim pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë, kopjen e katrës së vaksinimit të dalë nga e-Albania. Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë.
“Përjashtim do të bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktuar me dokument mjekësor për mos bërjen e vaksinës. Një dokument i cili do të vlerësohet me përgjegjshmëri përveç mjekut dhe specialistit që e ka dhënë, edhe nga specialisti i ISHP”, shtoi ajo më tej.
Një thirrje të veçantë, zv/Ministrja e kishte për studentët.
“Për studentët bëjmë thirrje edhe njëherë, për vaksinim brenda muajit Shtator në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet në auditorë ashtu siç ata e kanë kërkuar vazhdimisht dhe të lehtësohet ecuria e procesit mësimor.”