Urdhri në Shkodër, çdo polic katër gjoba…

Shpërndaje

Trafiku rrugor nga automjetet në rrugët e qytetit të Shkodrës ka rënë ndjeshëm kjo për shkak të largimit të numrit të madh të turistëve të huaj por edhe shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të Europës. Pavarësisht kësaj drejtoria vendore e policisë së Shkodrës, kryesisht policia rrugore është nën një presion për plotësimin e numrit të gjobave. Burime pranë Star Plus Tv bëjnë me dije se policët rrugor kanë urdhër që secili prej tyre të vendosë minimalisht katër gjoba në ditë, që i bie praktikisht vetëm në Shkodër të vendosen mbi 300 gjoba brenda një dite duke përllogaritur edhe shërbimet e tjera policore që kanë të drejtë ndëshkimi.

Natyrshëm që të gjithë ata që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor duhet të ndëshkohen por kjo nuk do të thotë se efektivëve të rrugores duhet që t’i vendosësh një normë prej katër gjobash në ditë. Po ashtu edhe pse në një numër jo aq të madh ende ka turistë të huaj në Shkodër të cilët në vende ku nuk ka tabela sinjalizuese ata parkojnë dhe nëse një polic i gjobit për të përmbushur normën e atyre që urdhërojnë vendosjen e katër gjobave çdo ditë nga secili polic, atëherë imazhi që përcjell tek të huajt nuk është aspak i mirë. Në shpesh raste turistët kanë bërë dhe denoncime për policinë rrugore të Shkodrës për vendosjen e gjobave të padrejta.

Masat administrative nga policia duhet që të shërbejnë si një mjet edukimi dhe jo të kthehen në një sistem kamxhiku për shoferët vetëm duke ndëshkuar me qëllimin e vetëm për të përmbushur dëshirat e shefave të policisë rrugore. Aq më tepër që në rrugët e Shkodrës mungojnë parkingjet dhe po ashtu edhe transporti publik nuk është në nivelin e duhur, gjë e cila bën që qytetarët të parkojnë automjetet e tyre në vendqëndrime që nuk lejohet.

Shpërndaje