Thellësisht i shqetësuar nga vendimarrja e autoriteteve publike për urdhërimin e mbylljes të RTV ORA, veçanërisht kur raportet e organizatave botërore dhe europiane të gazetarëve japin alarmin për regresin vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias në Shqipëri.
Në respekt të parimeve kushtetuese, në mbrojtje të të drejtave e lirive themelore të lirisë së shprehjes dhe për informim, si dhe nisur nga natyra urgjente e marrjes së vendimeve të njëpasnjëshme nga organet publike përkundrejt RTV ORA, pa shqyrtuar dhe vlerësuar më parë objektivisht këtë çështje, si dhe pretendimet e kësaj media, duket se këto masa administrative janë shproporcionale.
Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.
Çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes është e ndaluar, e papranueshme dhe e patolerueshme.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut siç është edhe drejta e lirisë së informimit.
Përdorimi i pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19, siç me të drejtë theksohet edhe në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij”, nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, por kërkon reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe të menjëhershëm.