Universiteti i Shkodrës miraton programe të reja studimi dhe projekte ndërkombëtare…

Shpërndaje

Shkodër – Para fillimit të mbledhjes së Senatit Akademik, rektori i Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj, mbajti një prononcim për shtyp, ku ftoi të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje në nderim të profesorit të ndjerë, Shelman Sheme.

Gjatë fjalës së tij, rektori bëri me dije se nga 14 programe studimi të propozuara, 9 kanë kaluar fazën e parë të miratimit. Këto përfshijnë 4 programe master shkencorë dhe 5 riorganizime programesh ekzistuese. Gjithashtu, u konfirmua miratimi i 2 projekteve nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe 2 të tjera nga INTERREG South Adriatic.

Për vitin akademik 2025-2026, Universiteti i Shkodrës do të ofrojë programe të reja studimi, ndër të cilat:

  • Master i Shkencave në Marketing Inovativ, Fakulteti Ekonomik.
  • Master i Shkencave në Sigurimin e Cilësisë së Ushqimit dhe Ushqyerjes, Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
  • Master Profesional në GIS dhe Planifikim Territori, Fakulteti i Shkencave Shoqërore.

Ndërkohë, disa programe ekzistuese kanë kaluar fazën e parë të riorganizimit, si:

  • Bachelor në Trashëgimi Kulturore, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, në bashkëpunim me Universitetin e Salentos, Itali.
  • Master i Shkencave në Mësuesi Gjuhë e Huaj për gjuhët italiane, frënge, gjermane dhe angleze.
  • Master i Shkencave në Infermieri Klinike, në fazën e dytë të miratimit.

Një tjetër arritje për Fakultetin e Shkencave të Natyrës është ngritja e Laboratorit Dozimetrik Personal, i cili do të monitorojë ekspozimin ndaj rrezatimit jonizues për stafet mjekësore në rajonin e veriut.

Në vijim, rektori Gjuraj njoftoi organizimin e një turi promovues gjatë muajit prill në disa qytete të veriut dhe verilindjes, për të rekrutuar studentë të rinj. Ky tur do të zhvillohet pas Panairit Work & Study dhe do të përfshijë qytete si Tropoja, Prizreni, Presheva, Tuzi dhe Ulqini.

Në fund të fjalës së tij, rektori theksoi rëndësinë e shmangies së aktiviteteve politike gjatë fushatës elektorale brenda orarit zyrtar të universitetit, duke garantuar një mjedis akademik të pavarur.

Shpërndaje