
Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Universitetit të Shkodrës dhe Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit
Sot, më datë 23 prill 2025, në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK).
Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dhe Drejtori Ekzekutiv i ISKK-së, z. Çelo Hoxha.
Ky bashkëpunim ka për qëllim krijimin e një kuadri të përbashkët për veprimtari kërkimore-shkencore, edukative, botuese dhe kulturore, me fokus informimin e komunitetit mbi pasojat e regjimit komunist dhe edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e kujtesës historike.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të organizohen konferenca, seminare, ekspozita dhe aktivitete ndërgjegjësuese, si dhe do të promovohet shkëmbimi i përvojave akademike në fusha të përbashkëta.
Universiteti i Shkodrës vazhdon kështu misionin e tij në fuqizimin e bashkëpunimeve institucionale, me synim rritjen e ndikimit të dijes në shoqëri dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.

