
Lajmi më i mirë për shkodranët në këtë vit të ri vjen me zgjidhjen e pagesës së kartonit jeshil, të cilit ishin të detyruar për çdo kalim në anën tjetër të kufirit të paguanin 15 euro për siguracion.
Deputetja e Shkodrës Edona Bilali, muaj më parë bëri një premtim dhe tregoi se po lobohej dhe po punohej shumë në drejtim të zgjidhjes së pagesës së vazhdueshme për çdo kalim kufitar në doganën e Malit të Zi, në drejtim të shtetit tjetër.
Pas shumë takimeve me palën tjetër të shtetit malazez dhe institucioneve përgjegjëse si dhe me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama tashmë ky premtim i Deputetes shkodrane është realitet dhe i vlen më së shumti çdo qytetari shkodran.
Tashmë qytetarët e Shqipërisë do kenë mundësi të paguajnë vetëm një herë shumën prej 50 euro me një produkt të krijuar enkas dhe të kalojnë kurdo që ata të duan në anën tjetër të kufirit, nga çdo pikë doganore që lidh dy shtetet, një shumë modeste krahasuar me fluksin e kalimit kufitar nga shqiptarët e veçanërisht shkodranët që lidhjet me këtë shtet e disa nga komunat e saja i ka të hershme dhe të vazhdueshme.
Kjo marrëveshje dhe ky vendim vjen në momentin e duhur, kur shumë kohë dhe premtime kanë kaluar sikur i merr era pa rezultat, ndërsa Deputetja e Shkodrës u sjell qytetarëve të saj lajmin e mirë të lobimit dhe punës së saj të vazhdueshme që me mbështetjen e Kryeministrit Rama finalizohet me suksesin e shumëpritur.