U tha terroristë protestuesve pro-palestinezë. Shkarkohet Braverman, shqiptarët i konsideronte kriminelë…

Shpërndaje

Suela Braverman është shkarkuar nga posti i Sekretares së Brendshme në Britaninë e Madhe. Vendimi është marrë nga kryeministri britanik Rishi Sunak. Braverman njihej si politikania e linjës së ashpër në Britani ku ajo ka bërë edhe disa komente jo fort të hijshme në lidhje me marshimet pro-palestineze në Londër.

Braverman pritet të zëvendësohet nga James Cleverly, pasi ai është parë të hyjë në 10 Doëing Street. Cleverly ka shërbyer si Sekretar i Punëve të Jashtme.

Braverman: Në radhët e protestuesve pro-palestinezë ka terroristë

Ajo i cilësoi protestuesit pro-palestinezë në Londër si marshuesit e urrejtjes. Ajo akuzoi policinë se ishte më e butë nga sa duhet ndaj demonstratave pro-palestineze, duke argumentuar se protestuesit e krahut të djathtë dhe nacionalistë trajtohen ndryshe.

Unë nuk besoj se këto marshime janë thjesht një thirrje për ndihmë për Gazën” shkroi Braverman në një artikull të botuar nga gazeta Times.

Ato janë një pohim i përparësisë së grupeve të caktuara – veçanërisht islamikët – të llojit që jemi mësuar të shohim më shumë në Irlandën e Veriut. Gjithashtu në mënyrë shqetësuese të kujtojnë Ulsterin. Nisur nga informacionet tona, ato tregojnë se disa nga organizatorët e grupeve të marshimit të së shtunës kanë lidhje me grupet terroriste, përfshirë Hamasin”, u shpreh ajo për gazetën “Times”.

Braverman i quante shqiptarët kriminelë

Gjithashtu Braverman, është njohur për qëndrimin e ashpër që ka pasur ndaj emigrantëve shqiptarë që kalonin “La Manshin” me gomone.

Madje, Braverman pati deklarura se do të përpilonte një listë me vendet e ‘sigurta’, ku të ardhurit nga vendet e përfshira në këtë listë të mos lejoheshin të kërkojnë azil, por të depërtohen brenda 10 ditëve.

Ajo nuk pati ngurruar t’i cilësojë shqiptarët si kriminelë dhe që duhen larguar nga vendi.

Nëse Laburistët do të qeverisnin vendin, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha gomonet të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik në kontrollin e sovranitetit tonë”, u shpreh Braverman para deputetëve britanikë.

Kjo solli edhe reagimin e qeverisë shqiptare, e cila dënoi gjuhën e ashpër raciste të përdorur ndaj emigrantëve shqiptarë duke shtuar se Britania e Madhe nuk mund të fajësojë shqiptarët për dështimin e politikave të saj qeveritare.

Në një deklaratë për BBC, kryeministri Edi Rama e cilësoi deklaratën e Braverman si “të çmendur” ndërsa shtoi se e kishte të pamundur që të mos reagonte ndaj kësaj lloj gjuhe që sipas tij nuk është politikë.

Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program. Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe ka të bëjë me gjetjen e kockave të kurbanit dhe fajësimin e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. Ajo nuk është gjë tjetër veçse nxitja e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë”, tha Rama në marsin e këtij viti.

Shpërndaje