Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se vaksina vendase TURKOVAC kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ka marrë miratim për përdorim emergjent, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nga sot jemi bërë një nga 9 vendet që ka prodhuar vaksinë kundër COVID-19”, tha ministri Koca, duke shtuar se nga java e ardhshme vendi do të kalojë në përdorim të gjerë.
Në adresimin në hapësirën e organizuar industriale në qytetin Şanlıurfa, ku përmes video-lidhjes mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ministri Koca tha se është i kënaqur që po jep lajmin e mirë të cilin populli e priste.
“Që nga sot kemi filluar prodhimin. I nderuar president sot ndodhemi në Şanlıurfa, në një prej qendrave tona ku bëhet prodhimi. Kemi një vaksinë që është zhvilluar 100 për qind vendase nga shkencëtarët tanë turq. Në këtë mënyrë nga sot jemi bërë një nga nëntë vendet që ka prodhuar vaksinë kundër COVID-19”, tha ministri Koca.
Ai shtoi se aktualisht ndodhen në në pikën e mbushjes, etiketimit dhe ambalazhimit, ku edhe ka filluar edhe prodhimi.
“I nderuar president ashtu siç e keni theksuar dhe ju, miratimi për përdorim emergjent dhe prodhimi i TURKOVAC ka filluar pa mbaruar viti. Ky sukses është sukses i të gjithë popullit tonë nën drejtimin tuaj”, u shpreh Koca.
Lidhur me prodhimin e vaksinës TURKOVAC, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se “do të ndiejmë kënaqësi që vaksinën tonë ta ndajmë me gjithë njerëzimin”.