Të ardhurat në ekonominë shqiptare nga turistët e huaj u tkurrën me 1 miliard e 93 milionë Euro gjatë vitit të shkuar, duke treguar situatën që përjetoi ky sektor për shkak të pandemisë së Covid-19.
Krahasuar me fluksin e parave të hyra në ekonomi në 2019-n, tkurrja është me një normë 60%, kundrejt rënies 45% të vizitorëve në vendin tonë.
Për operatorët turistikë, kjo situatë tregon se edhe ata që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit të shkuar, kanë shpenzuar më pak. Ata thonë se dhe shpresat për këtë sezon veror mbeten të njëjta, deri tani nuk ka asnjë rezervim.
“Këtë vit e kemi nisur me 0, vjet nuk e nisëm me 0. Ka një rënie me 60% të të ardhurave, kjo tregon se dhe kategoria që kanë ardhur nuk janë turistët që shpenzojnë. Edhe këtë vit presim që situata të mbetet njësoj, nuk kemi asnjë rezervim për sezonin e Verës.”
Në të njëjtat nivele rezulton edhe tkurrja e shpenzimeve të shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë.
“Kemi rënie të dy kahet, edhe në hyrje edhe në dalje që tregon një situatë të vështirë të tregut të agjencive turistike. Kemi shkurtuar vende pune dhe një pjesë kanë falimentuar.”
Operatorët turistikë kërkojnë grante për sektorin në mënyrë që të shpëtohen nga falimenti ndërmarrjet e mbetura dhe vendet e punës që kanë arritur të mbijetojnë. Ata sugjerojnë lidhjen e marrëveshjeve bilaterale me shtete të veçanta për të thithur turistë këtë sezon./Tv Klan/