Kryeministri kanadez Justin Trudeau mbrojti lirinë e shprehjes të premten, por duke thënë se ajo nuk ishte “pa kufij” dhe se nuk duhet të “dëmtojë në mënyrë arbitrare dhe të panevojshme” komunitete të caktuara.
“Ne gjithmonë mbrojmë lirinë e shprehjes,” tha kryeministri kanadez, duke iu përgjigjur një pyetje në lidhje me karikaturat fyese ndaj Profetit Muhamed, siç bëri revista Charlie Hebdo.
“Por liria e shprehjes nuk është pa kufij,” tha Trudeau në një konferencë shtypi. “Ne duhet të veprojmë me respekt për të tjerët dhe të përpiqemi të mos lëndojmë në mënyrë arbitrare dhe të panevojshme ata me të cilët ndajmë të njëjtën shoqëri dhe të njëjtin planet.”
Duke u distancuar nga pozicioni i presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministri kanadez bëri thirrje për përdorimin e kujdesshëm të lirisë së shprehjes.
“Në një shoqëri pluraliste, aq të larmishme sa e jona, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimin e fjalëve tona, të veprimeve tona mbi të tjerët, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetet ose popullatat që ende jetojnë nën diskriminim të madh”, tha Trudeau. /tesheshi.com/