Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2024 është 5056, duke shënuar një rënie me 6.8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023, ndërsa numri i vdekjeve është 5537, duke shënuar një rënie prej 5.2 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023.
INSTAT publikoi raportin mbi treguesit demografikë, sipas të cilit, shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2024 regjistron 481 vdekje më shumë se sa lindje.
Në tremujorin e parë 2024, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2023.
Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1929 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje.
Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Elbasanit me 2 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 21.1 %.
Në vitin 2023, shtesa natyrore e popullsisë rezulton pozitive me 2331 lindje më shumë sesa vdekje, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2022, i cili regjistronte 690 lindje më shumë se sa vdekje.
Gjatë vitit 2023 lindën 23 617 foshnja, duke shënuar një rënie me 4.3 %, krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i vdekjeve ishte 21 286 persona, duke shënuar një rënie me 11.3 %, krahasuar me një vit më parë.
Gjashtë qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative.
Qarku me shtesën natyrore më të lartë ishte Tirana, me 3548 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët ishte Korça, me 760 vdekje më shumë sesa lindje.