Punimet për ndërtimin e tregut të “Rusit” po vijojnë me ritme të shpejta.
Pas sistemimit të rrejtit të kanalizimeve nëntoksore është bërë e mundur ngritja e këmbëve metalike ku do të vendoset edhe çatia e këtij tregu e cila do të mbulojë një sipërfaqe prej rreth 1200 m2.
Pas shumë kohësh pritje dhe degradimi duket se ky treg tashmë do të kthehet në kushte bashkëkohore.
Me anë të këtij projekti do të bëhet e mundur ndërhyrja në sistemimin e sheshit, ndërtimi i mbulesës së markatës, ndriçimi i tregut, ndërtimi i moduleve të reja për tregtarët ambulantë, përmirësimi i kushteve të tregtimit dhe ruajtja e produkteve deri në tavolinën e konsumatorit.
Projekti parashikon që punimet të përfundojnë 12 muaj nga nisja, por ecuria e mirë e tyre ka bërë që shitësit të vendosen pranë këtij tregu në fund të këtij vit. Do të jenë rreth 120 tregtarë që do të vendosen pranë tregut të “Rusit”. Gjatë kësaj periudhe të investimit, tregtarët po ushtrojnë aktivitetin e tyre pranë tregut të bagëtive, po në zonën e “Rusit”.