Tre gola dhe dy kartonë të kuq, Vllaznia mposht Tiranën mes spektaklit…

Shpërndaje

Vllaznia ka mposhtur Tiranën me rezultatin 1-2 në transfertë, në një ndeshje me të vërtetë spektakolare.

Pas një pjese të parë, ku shkodranët e mbyllën në avantazhin e 2 golave, në të dytën, bardheblutë u shfaqën më dominues.

Sfida u zhbllokua në minutën e 22-të, ku Herald Marku u tregua i saktë nga penalltia, e cila u fitua nga Kaina. Nga ky moment, Tirana luajti me 10 lojtarë, pasi Zhivanaj u ndëshkua me të kuq, si lojtari i fundit që ndali në mënyrë të parregullt Kaina.

7 minuta më vonë, Vllaznia shënoi edhe të dytin, me sulmuesin Kaina, i cili shfrytëzoi në mënyrë të përkryer një krosim në zonë, duke gjuajtur bukur me kokë për ta ndalur topin në rrjetë.

Pjesa e dytë nisi me Tiranën në sulm, teksa në minutën e 47-të, ishte Xhixha, që shfrytëzon krosimin e Hasanit, për të shënuar golin e parë për skuadrën e tij.

3 minuta më vonë, gjithçka do të bëhej më e vështirë për Vllazninë, që gjithashtu mbeti me 10 lojtarë, pasi Herald Marku, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, pas një ndërhyrje ndaj Deliut.

Deri në fund, Tirana provoi disa herë të shënonte golin e barazimit, por nuk ia doli dot, duke u largua me humbje nga kjo sfidë.

Pas tre javëve të para, Vllaznia mban vendin e dytë me 6 pikë, ndërsa Tirana renditet në vendin e katërt me 4 pikë.  

Shpërndaje