Transferohet Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, dosjet Penale dhe Civile do të gjykohen…

Shpërndaje

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër do të transferohet tek godina e ish – Gjykatës së Apelit në Shkodër.

Kjo gjykatë nuk do të funksionojë më aty ku ishte, ndërsa lirimi i ambjeneteve është parashikuar që të realizohet në dy faza.

Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila informon se faza e parë është data 25 nëntor 2024, ku fillon veprimtarinë gjyqësore Dhoma Penale (Seksioni Penal).

Të gjitha çështjet penale, që  janë aktualisht në shqyrtim, prej datës 25 do të gjykohen në godinën e ish-Gjykatës së Apelit në Shkodër.

Ndërsa për fazën e dytë është parashikuar data 2 Dhjetor 2024, ku thuhet se fillon veprimtarinë gjyqësore Dhoma Civile ( Seksioni Civil).

“Në godinën e ish-Gjykatës së Apelit Shkodër do të funksionojë normalisht edhe sporteli për kryerjen e veprimeve administrative për të gjithë përdoruesit e gjykatës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Orari i shërbimeve do të jetë nga e hëna në të premte, nga ora 08.00- 16.00.

Kështu, me mijëra dosje Penale dhe Civile që ishin në godinën e mëparshme,  tashmë do të trasnferohen në godinën e re.

Me hartën e re gjyqësore, vitin e kaluar u shkrinë Gjykata Administrative dhe ajo e Apelit në Shkodër si dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Pukë, të cilat u transferuan drejt Tiranës.

Shpërndaje