Trajneri i ri i Vllaznisë, maqedonasi Goce Sedloski, ka nisur punën në krye të Vllaznisë duke zhvilluar seancën e parë stërvitore me skuadrën kuqeblu. Në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” ai është paraqitur së bashku me bshkëatdhetarin e tij Toni Meglenski, i cili do të jetë në stafin teknik së bashku me Ergi Borshin, trajnerin e portjerëve Ideal Lekiqi dhe përgatitësin atletik, bullgarin Mihail Tzokov. Së bashku me skuadrën në këtë seancë stërvitore ka qënë edhe Vioresin Sinani, i cili do të vijojë të mbajë postin e drejtorit sportiv të KF Vllaznia.
Ndërkohë, që nuk është parë të jetë i pranishëm ish trajneri Auron Miloti, por që, burime pranë klubit kuqeblu, bëjnë të ditur se ai do të vijojë të jetë pjesë e KF Vllaznia, pozicioni i të cilit pritet të mësohet në ditët në vazhdim. Në këtë seance të parë stërvitore si trajner i Vllaznisë, maqedonasi Goce Sedloski nuk ka pasur në dispozicion plot 4 titullarë, tre prej të cilëve i përkasin repartit të mbrojtjes dhe një mesfushor-sulmues. Bëhet fjalë për kapitenin Erdenis Gurishta, dy mbrojtësit e tjerë, kroati Marko Juriç dhe Gerald Smajli, si dhe mesfushori-sulmues, Ardit Hoxhaj.
Problemet e mbartura me dëmtimet, kanë bërë që ato të mos jenë pjesë e grupit të parë stërvitor. Gjithësesi, burime nga stafi mjekësor, por edhe nga vetë futbollistët në fjalë, bëjnë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim, pritet një përmirësim i parametrave fizikë, në mënyrë që për ndeshjen e së dielës me Erzenin e Shijakut, ato të jenë gati. Nga sa bëhet e ditur, më afër rikuperimit janë treshja, Gurishta-Juriç-Hoxhaj, ndërkohë që për Smajlin, edhe pse mund t’i bashkohet më herët grupit të parë, për këtë ndeshje mund të jetë e vështirë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, ka një lajm të mirë për Rejan Alivodën. Mesfushori, i cili për arsye dëmtimi nuk ka qënë pjesë e skuadrës prej dy ndeshjesh, në seancën e së martës, ai është stërvitur me skuadrën duke marrë ngarkesën e plotë ashtu si pjesëtarët e tjerë të skuadrës.