
Të paktën 50 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që shpërtheu gjatë natës në një klub nate në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan. Autoritetet maqedonase konfirmuan tragjedinë për agjencinë e lajmeve MIA, ndërsa numri i saktë i të plagosurve mbetet ende i panjohur. Disa prej tyre janë transferuar për trajtim në spitalet e Shtipit dhe Shkupit.
Shkaku i saktë i zjarrit ende nuk është konfirmuar nga autoritetet, por mediat lokale raportojnë se ai mund të jetë shkaktuar nga mjete piroteknike të përdorura gjatë një performance të bendit maqedonas DNA. Në momentin e shpërthimit, klubi ishte i mbushur me njerëz, çka e përkeqësoi situatën dhe rriti numrin e viktimave. Zjarrfikësit, ambulancat dhe forcat e rendit arritën menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar dhe për të lokalizuar zjarrin.
Këtë mëngjes, familjarët e viktimave dhe të zhdukurve janë parë të mbledhur para objektit në Koçan, në ankth për të dashurit e tyre. Një grua, e dëshpëruar për mbesën e saj të zhdukur, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk po merrte asnjë informacion mbi vendndodhjen e saj. Ndërkohë, autoritetet, përfshirë Drejtorin e Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov, ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ndodhen në Koçan dhe pritet të japin deklarata më vonë gjatë ditës.