Policia ka vendosur në pranga dy persona, babë e bir pasi janë kapur me 300 kilogramë drogë e llojit kanabis-sativa.
Ata janë arrestuar në doganën e Malit të Zi pasi gjatë kontrollit të kamionit që drejtohej nga shtetasi K.O i cili shoqërohej nga babai i tij, me iniciale I.O janë gjetur 300 kilogramë drogë.
Sipas policisë, droga kishte destinacion Austrinë dhe të dy të arrestuarit po tentonin ta kalonin përmes Malit të Zi.
“Gjatë natës, në doganën e Malit të Zi, si rezultat i inteligjencës policore dhe kontrollit të detajuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, është bllokuar një kamion tip “Renault”, i drejtuar nga shtetasi K. O. që shoqërohej nga babai i tij, shtetasi I. O., të dy banues në Durrës”
Gjatë kontrollit në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe me paleta, që kishin destinacion Austrinë, autoritetet doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të detajuar, kanë gjetur një sasi rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, të dyja autoritetet kanë nisur hetimet për rastin e trafikimit të sasisë rreth 300 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, që ishte nisur nga Shqipëria për në Malin e Zi.
“Policia shqiptare, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe me autoritetet policore dhe ato doganore malazeze, po kryejnë veprime të përbashkëta hetimore, për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.