Traboini dhe dera e Ded Gjo Lulit
nga Dr. Skender N. Rama
Gjatë rrugtimit tonë jetësor, jo rrallë na janë kryqëzuar rrugët me njerez dhe vënde të cilët na kanë lënë kujtime apo mbresa që bëjnë diferencen në këtë pafundesi udhtimesh dhe angazhimet të përditshme.E tillë ishte dhe njohja ime me malsorin Gjokë Mark Miri. Një malësor fisnik, bujar e plot me dinjitet, i cili flishte me një krenari të madhe për vendin dhe Malet e Malësisë nga i kishte rrënjët e gjakut. Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ajo njohje, kureshtje nuk mu shua kurrë për t’a njohur edhe më mirë Gjokën dhe fisin e tij, çka më nxiti të bëj edhe këtë përshkrim përmbledhës të cilin e përftova falë një hulumtimi nga burime të shkruara dhe gojdhenat e degjuara në takime me malsorët e Malësisë së Madhe të cilët ishin poaq krenar sa dhe Gjoka.
Dhe ja çfarë e bënte këtë malsor të jetë krenar për rrënjët e veta.
Traboini:një emër fort i lakuar në Malësi përmes bijëve të saj më të denjtë,ka skalitur një histori të lavdishme në rrjedhat e shekujve, të mbushur plot me episode, ngjarje, e heroizma që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e vendasve dhe në librat e hershme e të sotme të historisë së popullit shqiptar. Nuk mund të mendohet kurrsesi Malësia e Madhe pa Traboinin kreshnik, për gjurmët e thella që ka lënë me historinë e saj të lavdishme. Ajo ka ekzistuar si qendër banimi qysh prej vitit 1330, kohë kur është përmendur për herë të parë në mbrojtje të fesë katolike, të trashëguar nga të parët e tyre. Të përmëndësh termin Malësi, është fjalë e madhe të cilët me vite dhe shekuj me radhë u mbrojt me shpatë të përgjakur nga bijtë e saj,për ta ruajtur të pastër kombin, gjuhën dhe traditat e shëndoshta, origjinale arbërore prej gjakpirësve aziakë turk dhe atyre sllav. Me termin Malësi do të nënkuptosh faqen e ndritur të të gjithë krahinës, që asnjëherë gjatë historisë shumëshekullore, nuk u gjunjëzua para armiqve sa do të shumtë ishin ata, të cilët u munduan t’ja ulin krenarinë, ta nënshtronin me të gjithë format, ta shkombtarizonin, por më kot. Ajo i mbijetoi rrëbesheve e furtunave të egra të kohëve, duke qenë sot një dëshmi e lavdishme e kohërave të shkuara. Ndër këto male jetuan dhe do jetojnë krenarë, prej shekujsh e ndër shekuj malësorët autokton. E për ketë mbijetesë të ndritur, ekzistojnë shumë shkrime hartuar nga autorë vendas dhe tế huaj, për të kaluaren dhe të tashmen. Udhëtarë e vizitorë të ndryshëm, klerikë katolik të huaj dhe vendas e trajtuan, shpesh temën e Traboinit të Malësisë, në revista, gazeta, monografi historinë të mbushura plot shembuj trimërie, për mbrojtje të lirisë dhe identitetit shqiptar. Mbi te gjitha revistat shkencore kulturore “Hylli I Dritës”, “L.E.K.A.” etjer., dhe pothuajse për çdo numër pasqyruan në faqet e tyre histori dhe ngjarjet të rëndësishme të Malësisë, që ishin dhe mbetën ndera dhe krenaria e gjithë trojeve etnike shqiptare. Malësorët e Traboinit , ishin dhe mbetën historikisht burrat e dheut që mbajtën brez mbas brez nderin besën, trimërinë, mikpritjen, bujarinë, duke u lënë pasardhësve detyra të rëndësishme, për ruajtjen dhe çuarjen përpara të virtyteve më të mira, që dallojnë dhe nderojnë këtë pjesë të rëndësishme të kombit shqiptar. Kurdoherë gjaku i derdhur, për ruajtjen e këtyre vatrave, të varreve të gjyshërve dhe katragjyshërve, bënë që ata të kenë një motiv më shumë, për të ruajtur ndër shekuj dashurinë e pashuar për Atdheun, vendlindjen dhe tokën e shenjtë, që ua lanë trashëgim të parët e tyre. Kjo mbetet një ndër përmendoret më të gjalla të identitetit nga Iliria deri në ditët tona. Në këto male të ashpra të Traboinit , me pak tokë buke, pak misër, grurë u shpreh i lartë nderi, bujaria dhe fisniëria, në shpirtin fisnik të malësorit kreshnik. Bukë e krypë e zëmër tradicionale shqiptari, pati e ka gjithnjë malësori, për të gjithë miqtë dhe dashamirët e vet, qofshin këto të huaj, vendas apo bashkëkombas. Këngët e moçme popullore, me çifteli, lahutë e sharki, i përjetuan përherë luftrat e njëpasnjëshme, të pishtarëve të pavarësisë dhe lirisë të trojeve të veta dhe më gjërë, që bënë trimat kreshnik të viseve e krahinave të ndryshme të Malësisë. Ata lanë pas vetes aq shëmbëlltyra e dhunti njerëzore, trimërore e burrërore, me atë besë të lartë e të fortë shqiptare, që nuk gjindet në asnjë vend tjetër të shtetit amë. Të gjithë luftrat e tyre për ekzistencë, bukuria e jetës, zakonet e traditat, burrëritë e sofrave, logjëve, rreziqet, hallet e vajtimet për trimat e lirisë dhe fiseve të bajrakut, janë fiksuar shpesh në analet e historisë së popullit dhe krahinës së Traboinit te Malësisë, duke mbetur sot një dëshmi e vijimsisë së amanetëve të të parëve të tyre, që bënë dhe shkruan historinë që dëshmohet sot.
Fisi i Traboinit, ka nxjerrë burra me famë e me zë, të mirënjohur në tërë krahinën e përtej Malësisë. Virtytet e tyre më të vyera, kanë qenë shembull frymëzimi edhe brezat e më të rinjve të kohës. duke u përmendur gjithnjë si shembull i mirë e burim frymëzimi, në luftrat heroike, që ka zhvilluar Malësia asokohe të cilat do i ceki të pëmbledhura shkurtimisht.
Edhe sot në arkivat e fondeve të shumta të quajtura “Hotska Korita” (Korita e Traboinit e Gjelajve të Hotit) e Malit të Zi (Cetinë), ndër të tjera nga sa ishte e mundur të lexoj me kujdes pjesë të saj, flitej shumë për trimat e njohur të Gjelajve të Traboinit të Hotit, vëllezërit e njohur Pali e Marashi, të cilëve Veziri i Shkodrës asokohe ua njohu trimërinë e pashoq të tyre dhe ua ngjiti emrin: Pal Çeliku e Marash Hekuri, sepse ishin të shquar në luftime. Prej këtyre themeleve, lindi, u rrit dhe burrërua me zakone, tradita e bujari të thekshme edhe malësori Gjelosh Frangu Gjelaj i Traboinit , që e ka njohur Malësia, Shkodra dhe troje e tjera shqiptare.
Por historia eTraboinit, ishte e shkruar me gjak trimash malësor, pasi vendasit përmes bijve trima ndër shekuj, i kishin dalë zot me besë e trimëri gjithmonë atyre maleve, që për to ishin foleja e ngrohtë e jetës së tyre. Edhe në ngjarjet historike të vitit 1911, sërisht dalin në pah trimat e kullës të Rranxës së Rrasës në Traboin të Hotit, duke treguar shembuj trimërie, për mbrojtjen dhe ngritjen e flamurit shqiptar të Gjergj Kastriotit, në kalanë e Deçiqit. Ata ishin miq të nderuar të familjes së fatosit të lirisë e pavarësisë Ded Gjon Lulit, duke qenë krahu i djathtë i tij në ditë të mira dhe të vështira. Midis tyre, për heroizmin e treguar gjithnjë, mund të përmendim Zef Markun e Preloc Markun, që kishin luftuar dhe mbetur heroikisht në kalanë e Deçiqit. Edhe Frano Marku, ishte varrua gjatë luftimeve të ashpra për marrjen e kalasë. Për të thuhej se nuk e lëshoi për asnjë çast pozicionin e luftimit, ndonëse plagët e marra i pikonin gjak, që kishte ngjyrën e flamurit si martir i kombit për lirinë e vendit.
Nga burimet historike mësohet se, në luftën e ashpër të zhvilluar midis ushtrisë turke të armatosur gjerë në dhëmb dhe malësorëve, që kishin një motiv më shumë, për të luftuar duke mbroitur shtëpitë e tyre dhe tërë Malësinë,
Vetë Traboini i Hotit, ishte bërë një arenë përleshjesh të përgjakshme kundër taborreve të ushtrisë turke të armatosur gjer në dhëmbë me të gjithë armatimet moderne të kohës si dhe me një numër të madh ushtarësh, që si miza toke vërshuan drejt zonave të Malësisë. Aty ishte zhvilluar një luftë mes forcave të pakta vendase, por që kishin si ideal të lartë mbrojtjen e tokave të të parëve dhe kolonizatorëve turq, që kërkonin të largonin nga trojet e tyre stërgjyshorët banorët autokton. Luftimet e ashpra ishin përqendruar kryesisht në Qepur, ku trimat e komanduar nga Lulash Zeka dhe vëllait të tij Fran Zeka, të vrarë me dy djemtë e Lulash Zekës, qëndruan heroikisht si burrat kreshnikë, në kështjellën e natyrore, duke mos lejuar ushtrinë turke të depërtojë në brendësi të vendit. Aty gjetën vdekjen si heroi ata dëshmor të Malësisë. Trimat e rinj që i mori vdekja, por i ngjalli kënga, midis të cilëve përmendet edhe trimi i maleve Kol Marash Vata Gojçaj.
Historian dhe studiues të shumtë, vendas dhe të huaj, ndër shekuj e kanë pasqyruar gjerësisht dhe thellësisht historinë e pasur të fisieve të Traboinit të Hotit, ku mes tyre veçoheshin emrat e figurave të shquara të Traboinit dhe Malësisë. Aty flitej për guximin dhe qëndresën heroike e trimave të Traboinit , në luftën kundër barrierës turke, që u zhvilluan në Qafën e Ugels në vitin 1911, kryetrimin Dedi i Gjon Ujkës që tregoi një heroizëm të pashoq me djemtë e Traboinit duke rënë dëshmor për Fe e Atdhe. Dëshmorë të tjerë trima përmenden edhe patriotët: Gjekë Martini, Gjon Tomë Hasi, Likë Nika,Mirash Hasi etj..
Gjate viteve të mëvonshme, kur komunizmi erdhi edhe në trevat shqiptare dhe ato serbo-malazeze, këta të fundit kërkonin të vrisnin shqiptarët patriotë, që ishin dalluar në shumë luftra liridashëse atdhetare. Kështu në vitin 1945, pushkatohet në derë të shtëpisë trimi i derës së Vuksanlekajve Pjetër Zeku, pa pasur asnjë faj, por vetëm pse donte me gjithë shpirt idealet kombëtare. Të nesërmen meshtari i Traboinit Pader Zefi sëbashku me Vojvodën e Vuksanlekajve Vasel Mirash Hasin pushkatohen në vendin e quajtur Lugjet e Thella, ndërmjet Hotit dhe Grudës. Ata ishin trima dhe atdhetarë të vërtetë, që u dalluan për çështjen kombetare, për liri dhe pavarësi, për të mbrojtur me guxim fenë e të parëve dhe atdheun etnik të bashkuar. Një emër që u faltë krenari malsorëve dhe vetë Traboinit ishte Plaku i Urtë Maleve Dedë Gjon Luli (1840-1915).
Traboini dhe historia e shqiptarëve të fillimit të shek. XX, nuk mund të kuptohet pa kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911 dhe prijësit të maleve Dedë Gjon Lulit. Ai deri në fund të jetës së tij iu ndejti besnik idealeve të çlirimit të trojeve shqiptare dhe bashkimit të tyre me shtetin amë Shqipërinë. Deda, u lind në katundin Bardhaj, në Traboin të Hotit në vitin 1840. Në moshën 38 vjeçare, ai përfaqësoi Malësinë në Kuvendin e “Lidhjes e Prizrenit” (1878). Ai u zgjodh ko- mandant i luftëtarëve të Malësisë e nënkomandant i forcave të mbarë krahinës së Shkodrës. Kryeprijësi, ishte ndër të parët që lëshoi kushtrimin për luftë në Malësinë të Madhe, për mbrojtjen e tokave shqiptare. Familja e Dedë Gjon Lulit, ishte Derë e njohur në Malësi e Shqipëri për burrëri, trimëri, urti e autoritet, cilësi me të cilat përballoi me armë në dorë ushtrinë pushtuese e sulmet malaziase. Ai ruajti me vendosmëri trojet arbërore, kundër ushtrisë së Perandorisd Otomane.
Në këtë familje, me tradita të hershme patriotike e historike, u lind më 1912 edhe Gjelosh Luli, në katundin’ Bardhaj të Traboinit në Hot, pikërisht në kullat e famshme, ku, u lindën: Ded Gjon Luli, Kol Ded Gjon Luli, Gjok Luli, Gjergj Deda, Nik Gjelosh Luli, Lek Nishi etj., për të vijuar më pas me Mark Mirin, Mark Gjelosh Lula, Kol Miri, Lul Gjeloshi e Luk Gjeloshi. Deçiqi, ku valëviti Flamuri krenar i Gjergj Kastriotit dhe Dera e famshme e Ded Gjo’ Lulit, janë sinonim të njëra – tjetrës dhe pjesë e historisë së lavdishme nacionale të malësorëve kreshnikë të Shqipërisë së Veriut.
Malsorin Gjelosh Luli e lindi, e përkundi në djep dhe ushqeu me frymë patriotike fisnikja e Malësisë, Nora e Hotit (1888-1965), të cilën Ded Gjon Luli e kishte nusen e djalit. Të dy djemtë e Dedës, Kola e Gjergji kishin luftuar krah për krah me babain e tyre. Kështu Kola, nuk e pati jetën e gjatë, mbasi u helmua nga sllavët, në një hotel të qytetit e Barit në Itali në vitin 1918, në shenjë hakmarrje ndaj prijësit të Kryengritjes së Malësisë Ded Gjon Lulit, ndërsa djali tjetër Gjergj mbeti i vrarë në Luftën e Malësisë të vitit 1910. Gjatë betejës së madhe, luftëtari Luc Nishi i vuri gjoksin topit të artilerisë e trupi i tij u bë copa copa. Me ndarjen e kufijve nga Fuqitë e Mëdha, katundi Traboin mbeti nën juridiksionin e Malit të Zi, si shumë familje të tjera patriotike të malësisë. Prej kësaj derës heroike lindën edhe vëllezërit trima antikomunist Mark Miri, e Kol Miri të Traboinit, që luftuan kundër komunistëve të përbërë prej dy ushtrive bolshevike shqiptare e sllave. Sëbashku për 4 vjet me radhë e fshehën Kapitenin Gjelosh Lulin nëpër shpella, shtëpi për shtëpi, për të mos ť’ia dorëzuar forcave terroriste të ndjekjes.
Me këto ndjenja të thella atdhedashurie për liri dhe pavarësi ishte rritur edhe Gjokë Mark Miri (Dedvukaj), një djalë i zgjuar, i dashur, trim dhe bujar, tëcilin pata fatin ta njoh nga afër. Ai u rrit krenar në odën e burrave të shquar të Malësisë dhe derës së famshme, ku tradicionalisht është kultivuar brez mbas brezi me shumë respekt tradita të pastër shqiptare.
Në lëvizjet e emigrantëve shqiptar të kohës në SHBA ishte bashkuar edhe Gjoka si fondmbledhëses për të ndihmuar venlidnjen dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë në nevoj. Ai ishte gjithmonë përkrah liderëve të komunitetit shqiptaro amerikanë, senatorëve dhe kongresistëve ameirkanë që kanë mbrojtur përherë problemin shqiptar për shumë dekada me radhë. Malsori Gjokë Mark Miri për shumë vite më radhë ka marrë pjesë në çdo demonstrat me flamurin kuq e zi, kundër serbo malazezëve etj. Ai është krenar se iu bashkua me ndërgjegje të plotë qindar e mijëra bashkëatdhetarëve të tjerë në të gjitha aktivitetet me frymë të thellë patriotike për të mirën e trojeve etnike shqiptare në vendlindje. Historikisht, Traboini i Hotit, është si një vatër e ngrohtë që shpërndau afshin e lirisë dhe pavarësisë në të gjithë trojet etnike shqiptare, duke treguar me shembuj konkret, se vetëm përmes grykës së pushkës shqiptarët asokohe, mund të fitonin të drejtat e tyre të nëpërkëmbur nga otomanët dhe shovinistët fqinjë serbo-malazezë. Siç e dimë, Shkodra, Malësia, Prizreni historik, Çamësia e Thesalia, u bënë vatra atdhedashurie për bijtë e shqipes, dhe ashtu si në çdo vend tjetër ku dëshmohet për ngjarje nëpërmjet memorjsleve edhe mbi themelet plot tradita heroike do të ngrihet me dinjitet shtepia muze e Dedë Gjon Lulit, si identiteti i luftrave të një pas njëshme gjatë historisë së përgjakur të popullit shqiptar. Muzeu i ri, me pavionet e stendat e saj historike, me fotografi, libra, gazeta, promemorie, thirrje për kryengritje te kohës, faksimile dhe kopje origjinale të dokumenteve të kohës do të dëshmojë edhe një herë se historia e popullit shqiptar është e bazuar mbi fakte dhe ngjarje reale dhe jo e fabrikuar sikurse kanë bërë e po bëjnë sërisht fqinjët tanë dje dhe sot. Me këtë muze, krijohet mundësia, që historianët bashkëkohorë, të thellojnë studimet e tyre për këtë figurë dhe Malësinë, vlerat e zhvillimit të kulturës dhe historisë sonë ndër shekuj. Shtetet Perëndimore të Europës dhe këtu në SHBA, në traditën e respektimit të luftrave të popullit dhe prijésve të tyre, në shenjë mirënjohje e pavdeksie për figura e shquara dhe përparimtare të pushkës e diturisë, kanë ngritur dhe ruajnë me ligjitimitet shtëpitë dhe identitetin e tyre. Shtëpitë muze, me vlera autentike origjinale (si passaporta), tregojnë pjesë të historisë së shteteve, rrugën e lavdishme të të parëve të tyre, që i nderojnë e respektojnë përherë në ditë festash kombëtare. Tashma brezat shqiptare, kanë se çfare t’u rrëfejnë pjesë nga historia e lavdishme e shkruar me germa gjaku nga bijtë e malëve të shqipes… Populli ynë i lashtë, me një histori të pasur sa popujt më të vjetër të botës, sërisht ka menduar dhe po kujdeset, përmes bijve të shqipes të shpëndarë nëpër botë dhe autoktonët e vjetër bashkëvendas të Heroit, të marrin flamurin e nderit dhe kënaqësisë historike, për të ngritur shtëpinë muze, në vendlindjen e Dede Gjon Lulit në Bardhaj të Traboinit! Trimat në fjalë kanë përfaqsuar fiset e njohura të Traboinit. Ata sëbashku flijuan jetën për interesat e shenjta të Atdheut. Dëshmorët menduan e luftuan, flijuan dhe u përjetsuan sëbashku, mbasi gjaku i pastër i tyre vaditi rrënjët e lashta të tokës shqiptare. Përmendorja e ngritur në shenjë kujtimi e pavdeksie, është një shenjë respekti e mirënjohje, që pasardhësit po bëjnë sot për trimat, që me gjakun e tyre të pastër shkruan historinë e Traboinit , ku firmosën me grykën e pushkës lirinë, vendosjen e flamurit të Gjergj Kastriotit brenda territorit, ku flitet e shkruhet gjuha amtare shqipe. Lavdi e përhershme eshtrave te martirëve, që Traboini i Hotit i përkujton si bijtë e vet në çdo përvjetor historie, duke i vendosur në panteonin e përbashkët nën flamurin kuq e zi me kurora me lule të freskëta shumë ngjyrshë.Ndihem me fat që e njoha nga afër Gjokë Mark Miri një nga pinjollët e kësaj dere me namë e me zâ në Malësi të Madhe e mbarë trojet shqiptare dhe kuptova se nga i buronte krenaria për rrënjët e veta.