Gjykata e Posaçme e Apelit njoftoi të hënën se kishte dënuar me 2 vite e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj, i akuzuar për tjetërsim të pronave në zonën turistike të Shëngjinit. Frrokaj ishte gjetur fajtorë dhe dënuar me 1 vit e 4 muaj burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë, por Apeli ka pranuar ankimi e SPAK dhe ka rënduar dënimin.
Frrokaj u gjet fajtor për veprën penale “Shpërdorim Detyre”. Pas këtij vendimi Frrokaj pritet të rikthehet në qeli dhe të vuajë dënimin e ri, pasi është i formës së prerë. Ish-kryebashkiaku i Lezhës u dënua edhe në tetor të vitit 2022 me 3 vite burg nga Gjykata e Apelit në Shkodër, por përfitoj nga amnistia dhe u lirua për dënimin e çështjes së parë.
Ndërkohë Apeli i Posaçëm dënoi për të njëjtën vepër penale me 1 vit e 4 muaj burg dhe ish-juristin e Hipotekës së Lezhës Bledar Cara. Ndërkohë ish-punonnjësja e Kadastrës në Bashkinë Lezhë Juxhina Mema u dënua me të njëjtën masë, por dënimi u pezullua. Të tre të dënuarve u caktua dënim plotësues i moslejimit të marrjes së një posti publik për 5 vjet.
Hetimet për tjetërsimin e pronave nisën në vitin 2019-të, kur SPAK arriti të provojë përfitimin në mënyre të paligjshme të 66 mijë metrave katror tokë në bregdetin e Lezhës, më vlerë 13 milion euro. Sipas organit të akuzës kjo sipërfaqe e madhe toke e cila ishte pronë shtetërore dhe është tjetërsuar përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë që nga origjina e pronës deri tek certifikata e pronësisë.
Kjo nuk është hera e parë që personat e mësipërm akuzohen për këtë vepër penale. Në një tjetër dosje të ngjashme për të njëjtat akuza, por për sipërfaqe të tjera prone u dënuan me nga 3 vite burg në tetor 2022 nga Gjykata e Apelit në Shkodër ish-kryebashkiaku Frrokaj dhe ish-kreu i këshillit të Qarkut Gjok Ndoka dhe disa persona të tjerë.