Brenda pak ditësh qeveria do të lidhë me privatin kontratat për fillimin e ndërtimit të dy segmenteve Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Fier pjesë e korridorit blu.
Me ndërtimin e tyre pas përfundimit të aksit rrugor Thumanë Kashar, kryeministri Edi Rama u tha shkodranëve se distanca mes veriut dhe jugut të vendit do të shkurtohet.
“Për pak ditë do të lidhen edhe kontratat e reja për segmentet me poshtë nga Thumana në Kashar tanimë e kemi, nga Kashari pastaj në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në Fier dhe kështu koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën, brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërkohë që koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa ç‘është sot koha e lidhjes me Tiranën, pra do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë, megjithëse sot koha është me e shkurtë në fakt se lidhja me Tiranën, se e provova dhe vetë”, tha Rama.
Sfidë cilësoi ndërtimin e një tjetër segmenti rrugor pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, ai që lidh Balldrenin me Murriqanin.
“Kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Murriqan të Korridorit Blu i cili tanimë e ka një segment të përfunduar dhe të prekshëm për të gjithë në aksin Thumanë-Kashar, por që do të vazhdojë me segmente të tjera që do lidhin praktikisht Balldrenin me Milotin, Milotin me Murriqanin dhe sigurisht edhe pastaj Balldrenin me Thumanën” tha Rama.
Investimet në infrastrukturë tha kryeministri Edi Rama në një aktivitet në Shkodër do të prekin të gjithë qarkun e veçanërisht ato që lidhin qytetin me vend-takimet turistike si Thethi e çdo zone tjetër në kufi me Malin e Zi.