Prokuroria ka zbardhur detaje të tjera nga dosja 339 të lidhur me manipulimin e votave në disa zona të Shijakut gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.
Në materialin dorëzuar gjykatës për 20 komisionerët ndaj të cilëve u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” përshkruhet një tjetër episod lidhur me mbushjen e kutive me fletë votimi në emër të personave që ndodheshin jashtë shtetit.
Në faqen 37 të dosjes thuhet se në datën 24 qershor 2017, në orën 18:47, Altin Avdyli, ka biseduar me Armelin Zezën ku flasin për mbylljen e kutive të votimeve dhe futjen në to të disa fletëve.
Altin Avdylaj pyet gjatë bisedës sesi janë punët në Rubjek ndërkohë që shtetasi Armelin Zeza përgjigjet se i mbyllën kutitë e votimit dhe se fletët i futën në fund të votimit.
Në një episod tjetër të përgjuar në orën 20:06 minuta po atë ditë, në 24 qershor 2017, shtetasi Armelin Zeza informon Altin Avdylin për praninë e njerëzve të LSI-së në zonë dhe siç duket i kërkon përforcime pasi është përgjuar teksa shprehet: “Thuaji dhe Astritit të bëhet gati të dalë këtej”.
Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me hetimet për manipulimin e zgjedhjeve thuhet se personi që bisedon me Altin Avdylaj në dy episode, shtetasi Armelin Zeza ka votuar në emër të personave të tjerë duke konsumuar veprën penale “votimi më shumë se njëherë ose pa u identifikuar”.