Thellohet skandali ‘Tire’: “Të hënksha m**in, më jep pak ujë”, zbulohen mesazhet kur e ndjera i përgjërohej Tire Alldërvishit që t’i jepte pak ushqim

Shpërndaje

Mbrëmjen e sotme janë publikuar të tjera detaje të rënda të sanitares Alldervishi që i mori 8 milionë lekë të vjetra vajzës së pacientes që vdiq nga COVID-19, me qëllim që t’i shërbente e ta shëronte.

Emisioni Stop ka publikuar mesazhe dëshpëruese që pacientja e ndjerë i dërgonte Tire Alldërvishit, ku i lutej për t’i dhënë ushqim.

Viktima që ndërroi jetë në spitalin COVID-2 në fund të muajit dhjetor, i është përgjëruar Tires për bukë dhe ujë dhe ndërkohë Tirja nuk ka qenë e gatshme në asnjë moment, edhe pse kjo e fundit merrte para nga vajza e pacientes, që t’i shërbente të ëmës.

Në datën 6 Dhjetor në mëngjes, pacientja e ndjerë i drejtohej Tires: “Të hënksha m****, hajde 1 sekondë”.

Por 45 minuta më vonë, Tirja nuk ishte dukur dhe pacientja e kërkonte sërish me dëshpërim. “O Tire, hajde të hënksha m****. Ku je? Hajde”.

Kjo ishte thirrja e qytetares që vuante nga COVIDI.  “A e takove Anin”, vijonte ajo më tej duke shpresuar që paratë e së bijës që mbushnin xhepat e Tires do të zbusnin vuajtjes e saj.

Në 12 Dhjetor, në orën 09:30 të mëngjesit, pacientja që vuante edhe nga diabeti, ende nuk kishte ngrënë mëngjes dhe i lutej Tires sikur t’i kishte shpirtin në dorë.

“O Tire, po më dridhet trupi për bukë. Po më bie diabeti, hajde shpejtë”.

Pas gjysmë ore, pacientja sërish e pangrënë, i përgjërohet sanitares Tire Alldërvishi.

“Të thashë më jep çik bukë, më ike”.

Më 13 Dhjetor në drekë, sërish lutje për vaktin e radhës.

“Kur do të ha bukë. S’ma bërë insulinën, të lutem hajde pak. O Tire hajde pak të lutem”.

Pesë ditë më pas, më 15 Dhjetor në mëngjes, e ndjera i drejtohej sërish asaj që e paguante për t’i dhënë një copë bukë.

“Pse më tradhtove? Jam keq. Më kthe përgjigje”.

Por Tirja, që thoshte se pacienten e kishte teze, mjaftohej t’i thoshte: “Mirëmëngjes teze. Jam në shtëpi, jo në punë”.

Në këtë pikë, komunikimi bëhet gjithmonë e më i dëshpëruar pasi edhe pacientja po jetonte fundin e saj.

“Të du shumë, hajde pak. Hajde më jep pak ujë. A je në punë? Hajde më vrit me duart tuaja dhe ik”.

Gjithë ky komunikim nxjerr në pah jo vetëm që Tirja merrte para për shërbime që pacientët duhet t’i kishin në spital.

Edhe nëse Tire Alldërvishi nuk kishte bashkëpunëtorë në spital në zhvatjen e pacientëve, ajo që nuk mund të mohohet është se pacientët janë lënë në mëshirë të fatit, pa kujdes e mbikëqyrje, të pangrënë e të pashërbyer në dorë të Tires e Tireve të tjera që kanë shfrytëzuar mungesën e vëmendjes ndaj të sëmurëve për të bërë para me jetën e tyre.

Kujtojmë se Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për sanitaren e ‘Shefqet Ndroqit’ Tire Alldervishi e cila i mori 8 milionë lekë vajzës së pacientes me COVID.

Menjëherë sapo ajo u arrestua, pretendoi se ishte e infektuar me COVID dhe madje në dëshminë e dhënë është shprehur se nuk i prishte punë njeriu nëse do lirohej.

Ajo pretendonte se ka qenë edhe vetë e shtruar në spital për shkak se ishte e infektuar, por ende nuk është negativizuar dhe për këtë arsye përbën rrezik për të infektuar të tjerë në qelitë e paraburgimit.

Shpërndaje