Teuta Uruçi (Kosi) nga Universiteti i Shkodrës në Karrierën Financiare në Kanada…

Share your love

Rrugëtimi Im Profesional: Nga Universiteti i Shkodrës në Karrierën Financiare në Kanada

Unë jam Teuta Uruçi (Kosi) dhe kam nderin e veçantë të jem një ish-studente e Universitetit të Shkodrës, Fakulteti Ekonomik (2002-2006) 📚, dega Financë-Kontabilitet. Dëshira për të aplikuar në këtë degë lindi paralelisht me dashurinë për matematikën, e cila më nxiti të konkuroja në të dyja degët njëkohësisht dhe t’i fitoja të dyja 🎯. Zgjedhja finale për të ndjekur studimet në ekonomi ishte dëshirë e imja dhe e prindërve 👨‍👩‍👧, dhe e konsideroj një zgjedhje shumë të mirë, e nxitur nga njohuritë e gjera dhe të thella që më kanë zhvilluar profesionalisht dhe akademikisht në vitet që pasuan e deri më sot 🎓. Pas përfundimit me sukses të studimeve, pata fatin të punoj për rreth 7 vite në një prej bankave të qytetit me një staf të kualifikuar dhe të përgatitur për sistemin bankar shqiptar 🏦. Aty u promovua zhvillimi profesional si një element i rëndësishëm. Kjo më nxiti të vijoj studimet në një nivel më të lartë akademik dhe vendosa të ndjek e të përfundoj studimet për Master Shkencor në Financë Banke, pranë Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu” 🎓. Më tej, kam punuar në sektorin publik si specialiste pagash në Drejtorinë Rajonale Arsimore Shkodër, para se familja ime dhe unë të vendosnim të zhvendoseshim në Kanada 🍁.

Përtej sfidave të hasura në një vend të ri, me norma kulturore dhe një sistem të ndryshëm nga ai ynë 🌍, dëshira për të thelluar njohuritë dhe për t’u integruar plotësisht në këtë sistem më shtyu të vijoj studimet. Pasi mbërrita, bëra njëhsimin e diplomës së Financës me sistemin kanadez, e cila u njoh plotësisht nga ministria përkatëse ✅. Në vitin 2015, u pajisa me një licencë për Fondet e Investimit në Kanada 💼, ku gjithashtu punova për një kohë pranë një kompanie të sigurimeve dhe investimeve shumë prestigjioze, siç është Sun Life Financial 🌟, si këshilltare financiare 💰. Pajisja me njohuri të thella në fushën e financës më shtyu të vijoj më tej dhe të studioj edhe në fushën e kontabilitetit 📊. Aktualisht, prej katër vitesh punoj në një organizatë të madhe jofitimprurëse, e cila ka mbi 10 qendra në Montreal dhe mbi 1300 punonjës, YMCA du Quebec.
Jam analiste financiare në departamentin e pagave pranë zyrave qendrore, dhe puna në një pozicion të tillë më ka dhënë mundësinë të njoh nga afër sistemin financiar, institucionet shtetërore me të cilat bashkëpunojmë, si dhe ligjet dhe politikat fiskale mbi bazën e të cilave operojmë 📑⚖️.

Duke kaluar çdo sfidë dhe duke përjetuar çdo arritje, mund të them me nder se të qenit ish-studente e Fakultetit Ekonomik ka qenë çelësi që hapi rrugën drejt asaj që jam sot 🔑. U them FALEMINDERIT të gjithë profesorëve, të cilët asnjëherë nuk u kursyen në përçimin e njohurive te ne 🙏.
Krenare që isha pjesë e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” 🎓.

Share your love