Teuta e kërkoi dhe Brdariç refuzoi, zbulohen prapaskenat me sulmuesin e Vllaznisë…

Shpërndaje

Mehdi Çoba shkëlqeu në Kupat e Europës me Vllazninë dhe u mendua se kuqeblutë kishin bërë një “bingo” të madhe me sulmuesin 21-vjeçar, për të cilin trajneri Tomas Brdariç kishte besuar.

Mirëpo, në këto 15 javë kampionat, duke qenë se te shkodranët u afruan sulmues, si Ante Aralica dhe Fahrudin Gjurgjeviç, hapësirat për Çobën kanë qenë gjithnjë e më të pakta.

Ai është aktivizuar në 9 ndeshje si zëvendësues, por me vetëm 74 minuta në total, që nuk janë as sa një takim i plotë. Gjithsesi, sa herë Çoba është futur në fushë, ka lënë gjurmë me asiste për gol dhe goditje drejt portës, duke dhënë sadopak kontribut në rezultatet e skuadrës.

Duke parë këtë situatë, ku lojtari më shumë qëndronte në stol, sesa aktivizohej, klubet e tjera të Superiores nisën të interesoheshin.

“Panorama Sport” mëson se Teuta ka qenë një prej skuadrave që e donte më shumë shkodranin e talentuar. Sulmuesi është nën kontratë me Vllazninë dhe ndoshta drejtuesit shkodranë mund të krijonin një hapësirë për huazimin e tij, por gjithsesi Teuta nuk e pranonte këtë.

Në të tilla kushte ka ndërhyrë menjëherë trajneri Tomas Brdariç, sapo ka mësuar se disa ekipe të Superiores kërkojnë Çobën për në janar.

Gazeta zbulon se gjermani ka vendosur veton për qëndrimin e sulmuesit, duke e konsideruar pjesë të rëndësishme të skuadrës, edhe pse në repartin e sulmit konkurrenca është shumë e madhe.

Madje, si për të konfirmuar se e mbështet shumë Çobën, vetë Brdariç i kushtoi lojtarit një postim në rrjetet sociale. “Mbështesim talentet e uritur dhe studiozë si Mehdi Çoba”, shkruante trajneri për sulmuesin.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje