Tesla shiti 936,172 automjete elektrike në vitin 2021, një rekord absolut…

Shpërndaje

Tesla tha para disa ditësh se arriti të shiste 308,600 automjete elektrike në tremujorin e katërt të vitit 2021, duke thyer rekordin e mëparshëm për një tremujor, si dhe pritshmëritë e analistëve.

Kompania prodhoi gjithsej 305,840 automjete plotësisht elektrike gjatë së njëjtës periudhë.

Gjatë të gjithë vitit, Tesla shiti 936,172 automjete, një rritje kjo me 87% në krahasim me vitin 2020 kur kompania raportoi fitimin e saj të parë vjetor nga shitjet e 499,647 automjeteve.
Në tremujorin e tretë të 2021, shitja e automjeteve arriti shifrën 241,300, duke u bërë tremujori i dytë më i mirë i Tesla-s.

Sipas një konsensusi të përpiluar nga FactSet, analistët e Wall Street kishin parashikuar që Tesla do të shiste 267,000 automjete në tremujorin e katërt dhe 897,000 të tilla për të gjithë vitin 2021.

Tesla i grupon numrat e shitjeve për automjetet e saj Model S dhe X që kanë çmim më të lartë, si dhe për automjetet Model 3 dhe Y që kanë çmim më të ulët. Kompania nuk i raporton numrat e shitjeve apo të prodhimit sipas rajoneve gjeografike.

Prodhimi i sedanit të saj kryesor Model S, si dhe i SUV me krahë si skifter Model X, përbënin vetëm pak nën 3% të shitjeve totale të Tesla për vitin 2021. Shitjet e Modelit 3 dhe Modelit Y arritën në 296,850 në tremujorin e fundit të 2021, duke kapur shifrën 911,208 për të gjithë vitin. Tesla prodhon automjete Model 3 dhe Model Y në fabrikën e saj në Shangai dhe në Fremont, Kaliforni, por prodhon Modelet X dhe S vetëm në Fremont.

Shmangia e mungesave në zinxhirët e furnizimit

Në mbledhjen vjetore të aksionerëve të Tesla-s për vitin 2021, Musk u ankua për një vit gjatë të cilit problemet në zinxhirët e furnizimit vështirësuan furnizimet e mjaftueshme me mikroçipë dhe pajisje të tjera.

Gjatë vitit të dytë të pandemisë globale të koronavirusit, Tesla ishte në gjendje të rriste shitjet e automjeteve duke rritur prodhimin në fabrikën e saj të parë jashtë shtetit në Shangai dhe duke bërë ndryshime teknike në makinat që prodhon në Fremont, Kaliforni, në mënyrë që të mund të eleminonte disa pjesë të automjeteve.

Ajo që bëri më shumë bujë ishte kur Tesla njoftoi në maj se po hiqte sensorët e radarëve nga automjetet Model 3 dhe Model Y të prodhuara për klientët në Amerikën e Veriut. Këto makina tani mbështeten në një sistem me kamera për të mundësuar opsionet e Tesla-s për ndihmën e shoferit, si për shembull ngarja e kontrolluar e mjetit në trafik ose mbajtja automatike e korsisë.

Duke parë nga e ardhmja

Musk ka deklaruar se, gjatë nëntë viteve të ardhshme, dëshiron të rrisë volumin e shitjeve të automjeteve të Tesla në 20 milionë në vit. Për të ndjekur këtë rritje, Tesla është gati të fillojë prodhimin e mjetit Model Y në fabrikën e saj të re në Austin, Teksas, këtë vit. Pas kësaj, ajo synon të hapë një tjetër fabrikë në Brandenburg të Gjermanisë.

Kompania kohët e fundit e zhvendosi selinë e saj qendrore në Teksas. CEO e shpalli këtë plan në tetor dhe Tesla e zyrtarizoi atë në fillim të dhjetorit.

Muajin e kaluar, Musk shkroi në Twitter, ku ai ka rreth 68.4 milionë ndjekës, se “Giga Texas është një investim prej 10 miliardë dollarësh i shtrirë në kohë, që gjeneron të paktën 20 mijë vende pune direkte dhe 100 mijë të tjera indirekte”. Sipas dosjeve publike, Tesla planifikon të shpenzojë 1.6 miliardë dollarë në fabrikën e Austin, Teksas, në fazën e parë që po zhvillohet aktualisht.

Pavarësisht progresit dhe ambicieve në Teksas, Tesla ka shtyrë për në vitin 2023 planet për të filluar prodhimin në sasi të lartë të Cybertruck-ut të saj, një kamionçinë me kënde të dukshme. Gjithashtu, dy modelet e kompanisë, Semi dhe Roadster i rikonceptuar, janë ende në progres. / CNBC/ MONITOR/

Shpërndaje