Tërmeti në Izmir, rritet në 115 numri i jetëve të humbura…

Shpërndaje

Numri i personave që humbën jetën nga tërmeti që javën e kaluar goditi rajonin turk të Egjeut është rritur në 115, ndërsa 23 persona të plagosur ende janë duke u trajtuar nëpër spitale, raporton Anadolu Agency (AA).

Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) gjithashtu njoftoi se 1.011 persona që janë plagosur, janë liruar nga spitalet.

Nga AFAD thonë se pas tërmetit 6,6 ballësh më 30 tetor, janë regjistruar rreth 2.846 lëkundje në zonë, 46 prej të cilave më të forta se 4 ballë.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, duke folur në provincën veriperëndimore Kocaeli, tha se në mesin e të hospitalizuarve, 3 janë në gjendje kritike.

Ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum, njoftoi se 342 ndërtesa në qytet janë shkatërruar ose janë dëmtuar rëndë, 3.660 ndërtesa janë dëmtuar lehtë dhe 383 janë dëmtuar mesatarisht.

Ai gjithashtu tha se pothuajse 14 milionë lira turke (rreth 1,6 milionë dollarë) janë ndarë deri më tani.

Ndërkohë, presidenti Erdoğan u premtoi se ndërtesat e dëmtuara do të rindërtohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Si një zgjidhje e përkohshme, mijëra çadra janë ngritur dhe po ndërtohet gjithashtu një “qytet kontejner” i njësive të strehimit të përkohshëm.

Turqia është ndër zonat më aktive sizmike në botë dhe ka pësuar tërmete shkatërruese në të kaluarën, përfshirë tërmetin me fuqi prej 7.6 ballë në Marmara në vitin 1999.

Shpërndaje