
Misioni i përmbushur i Benetit.
Edhe pse mund të jem një nga personat që e kam sulmuar më shumë, kam një respekt për Becin sepse çka merr përsipër e kryen me sukses. Kur ishte me PD kishte mision të bënte mrekullinë infrastrukturore, të lidhte shqiptarët. E bëri. Kur Rama i dha gradat e negociatorit të dorëzimit të Kalasë, edhe atë e bëri me sukses. Mori me çdo formë bashkinë që socialistët as e kishin ëndërruar ndonjëherë.
Theu tabunë dhe ia dorëzoi atij që e kishte izoluar qytetin nga mungesa e investimeve, qytetin anti-regjim, si fitore simbolike.
Nëse ka një person që i ka bërë patronazhistët të ndjehen të pakompleksuar për atashimin e tyre me Partinë Socialiste, është Beneti. Ngivi një qytet të tanë me një lugë ujë. Performanca e tij me buzëqeshjen e babaxhanit, xhaketën portokalli, përqafimin me Luizin, projektet madhështore 3D, bëri që të normalizohej çdo lloj kompromisi. Çdo mbështetës i flaktë i PS thoshte që ky po e bën Shkodrën edhe pa e ditur përgjigjen se çka konkretisht po i bënte.
Dje, si nusja e vëllait të vogël, u muros, pikërisht në Kalanë të cilën ai vetë ndihmoi ta merrnin. Kurbani u pre me të njëjtat metoda që Edi Rama i bën përherë. Një sabotim i brendshëm ku administrata u la e lirë të mos shkonte, iu kthye “gabimi fatal” që i fshiu kontributin e jashtëzakonshëm që dha për organizatën.
Nga heroi i transformimit të qytetit, mori më pak vëmendje se influencerja me bikini që Rama zgjodhi të mishërojë. “Projektet e reja do t’i realizojë tjetër kush nesër” ishte mesazhi pa u fshehur shumë nën rreshta. Misioni u krye me sukses.
Mënyra se si Rama trajton ushtarët e bashkëpunëtorët e tij është e njëjta. Misionari është i parëndësishëm para misionit, deri në përmbushjen e plotë të misionit që vetë Misionari i Madh është ngarkuar: “një Shqipni pa shqiptar”.
Ted Kopliku




