
Ted Kopliku, kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Shkodër, shpalli fjalimin e tij të parë përpara qytetarëve të Shkodrës, duke theksuar angazhimin dhe përkushtimin e tij për të sjellë një politikë të re dhe të përgjegjshme. Ai foli për rëndësinë e besimit në vetvete dhe nevojën për një Pakt të Ri me politikën, duke u betuar se do të jetë një përfaqësues i vërtetë i qytetarëve, i gatshëm të punojë për Shkodrën dhe Shqipërinë.
Postimi i plotë i kandidatit Kopliku:
Fjala e plotë – 26/03/2025
Të nderuar demokratë, të nderuar Shkodranë, miq dhe të interesuar për një moment të tillë kur fillon prezantimi i përfaqësuesve tuaj për katër vitet e ardhshme,
Në radhë të parë, u uroj gjithë besimtarëve Natën e Kadrit, natën e zbritjes së Kuranit famëlartë. Sot ka shumë kuptime si datë. Përveçse është dita e lindjes sime, është edhe ditëlindja e drejtuesit të qarkut, z. Boçi. Madje, meqë kemi edhe miqtë e Legalitetit këtu, është edhe ditëlindja e Princit Leka. Nuk e di nëse janë rastësi, por për ta plotësuar dhe për të hequr syrin e keq, sot ndodhi edhe vizita e kundërshtarit politik, të cilin nuk do të doja ta përmendja aspak. Por meqë e mbushi gjithë fjalimin e tij me kandidatët e ASHM-së, e mora vesh edhe praninë e tij këtu.
Fillimisht, dua të falënderoj, përveç pjesëmarrësve, të gjithë ata që mundësuan rrugëtimin tim gjithë këto vite dhe falë tyre jam sot këtu përballë jush. Në majë të piramidës janë, pa diskutim, familja ime, që më ka mbështetur në çdo nisëm, edhe kur ato ishin të pamundura, për edukimin që më kanë dhënë dhe emrin e mirë që më kanë lënë. Falënderoj miqtë e mi, shtyllën e formimit të karakterit tim dhe forcën time për të çuar çdo ëndërr përpara. Falënderoj bashkëpunëtorët e mi në Partinë Demokratike ndër vite dhe në veçanti ata të Departamentit Brain Gain, armatën e idealistëve punëtorë me të cilët pata fatin të prodhoj politikë gjatë dy viteve të fundit. Në këto zgjedhje, jam i vetmi kandidat për deputet nga ky grupim në Shqipëri, dhe kjo, përveçse më nderon, më ngarkon me përgjegjësi. Në radhë të parë, për t’i përfaqësuar ata në këtë fushatë, por edhe për të fituar dhe për të qenë pjesë e parlamentit, për të çuar atje filozofinë e këtij departamenti: politikën moderne që i duhet Shqipërisë. Në këtë rrugëtim të gjatë, falënderoj të gjithë arkitektët e shpirtit tim ndër vite, qofshin ata ende pjesë e jetës sime apo jo. Mirënjohës për këdo që pati durimin dhe besimin, duke bërë të mundur që unë të jem sot këtu.
Për gjithë ata që nuk më njohin, jam Ted Kopliku, lindur dhe rritur në Shkodër. I lidhur pazgjidhshmërisht me vlerat dhe historinë e këtij qyteti. Kjo më ka bërë ta shoh Shkodrën si një mision dhe si një amanet të të parëve të mi, të cilët brez pas brezi i kanë shërbyer këtij vendi.
Kam përfunduar studimet në inxhinieri ndërtimi në Politeknikun e Tiranës. Më pas kam studiuar në Francë për shtatë vite, ku jam diplomuar për histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Në ciklin e parë të studimeve u përballa me padrejtësitë që vrasin ëndrrat e të rinjve në universitetet e Shqipërisë. Ishte vendosmëria për t’i shkuar deri në fund çdo pune që mora përsipër, që më ndihmoi të ja dal. Në shkollimin tim në Francë përjetova vështirësinë, por edhe bukurinë e eksperiencës larg vendit tënd, atë të emigrantëve, dhe pasioni për të ndjekur ëndrrën më bëri ta përfundoj me sukses. Gjatë këtyre viteve studimi kam punuar si menaxher në sektorin privat, inxhinier, asistent parlamentar kur nëna ime ishte deputete, si dhe në një think tank, ku kam qenë edhe themelues.
Politikisht, jam i angazhuar që në adoleshencë. Fushatën e parë e kam bërë në 2005 dhe, prej asaj dite, kam marrë pjesë në të gjitha fushatat në një formë ose një tjetër. Krenaria ime më e madhe është Departamenti Brain Gain, ku isha themelues i risisë më të madhe jo vetëm brenda PD-së, por edhe në të gjithë politikën shqiptare.
Kam zgjedhur të kandidoj sepse besoj te vetja, jo vetëm për faktin që ndihem gati të shërbej nesër në Kuvendin e Shqipërisë. Jo rastësisht kam zgjedhur sloganin “Beso Veten, Voto Tedin”. Ne, si shoqëri, kemi arritur në këtë pikë sepse na mungon besimi në veten tonë, në atë që mund dhe duhet të bëjmë. Ai që beson tek vetja është kërkues ndaj tjetrit. Ai që beson tek vetja delegon këtë besim duke votuar deputetin dhe nuk e dhuron atë. Për këtë arsye, unë kërkoj votën e atyre që besojnë në vetvete, sepse dua të jem një përfaqësues që jep llogari, që ditën e dytë pas betimit në Parlament të kthehem përsëri te ju. Dua të ndërtoj të ardhmen në këtë qytet, të fle dhe të zgjohem me hallet e këtij qyteti. Nëse beson tek vetja, nuk e shet votën, as nuk e dhuron te dhunuesit apo tregtarët e flamujve, por ja beson patriotëve.
Unë ia kam kushtuar jetën politikës. Pasioni im dua të jetë profesioni im dhe, sipas mendimit tim, nuk kemi kurrë më shumë se sot nevojë për profesionistë të politikës. Si i ri në politikë, me mbështetjen tuaj dua të konfirmoj modelin e politikanit që nuk ngjit shkallët e karrierës me servilizëm apo duke zbardhur koridoreve të pushtetit, por të fitoj bastin tim që në politikë ecet me punë dhe idealizëm, kur frymëzon dhe udhëton me të ngjashmit tuaj.
Jam i përkushtuar ndaj këtij misioni sepse besoj që Shkodra ka nevojë për një Pakt të Ri me politikën. Ky qytet, bashkia e tij dhe Partia Demokratike duhet të jenë shtëpia jonë përsëri. Shoh vlerat që prindërit e mi, gjyshërit e mi dhe të tjerë para tyre, të shkelen, përbuzen e tallen. Këtij qyteti duhet t’i kthehet sa më parë dinjiteti, siguria dhe identiteti.
Sot, qytetaria dhe zotnillëku shkodran, nëse nuk ka dalë nga ringu, është në cepin e tij duke u grushtuar barbarisht. Shkodra nuk është e fasadave dhe e koncerteve turbofolk, por e rrënjëve dhe e modelit qëndrestar.
Më besoni, fitorja është e mundur! Sot kemi zgjedhjen mes shpresës dhe dorëzimit, mes rezistencës dhe zhdukjes. Dhe unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim.
Rroftë Shkodra e përjetshme!
Rroftë Shqipëria madhështore me shqiptarë!