Nga Esido Barkaj
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë punën pas urdhrit të firmosur nga ministri i Brendshëm Taulant Balla që detyron punonjësit e policisë të tregojnë nëse më herët kanë qenë përdorues të aplikacioneve të bisedave sekrete “Sky” dhe “Encro Chat”.
Një ditë pas këtij urdhri, burime për Vizion Plus bëjnë me dije se ka nisur ngritja e një grupi punë që do të merren me formularët. Ato do të dorëzohen tek të gjithë efektivët e policisë të cilët duhet të deklarojnë nëse kanë përdorur programe të tilla dhe të argumentojnë arsyen e përdorimit. Ky proces pritet të përfundojë brenda 30 ditëve.
Ministri Balla ka paralajmëruar se çdo punonjës që është përfshirë në biseda të tilla do të përjashtohet menjëherë nga detyra.
Ndërsa ata police të cilët kanë përdorur programet “Sky” ose “Encrochat”, por në formular do ta mohojnë, do të përballen me drejtësinë për deklarim të rremë si dhe do të përjashtohen. Megjithatë AMP nuk ka një database për të verifikuar nëse një punonjës policie ka qenë apo jo përdorues, por kjo pritet të zbulohet në vijim nga hetimet e SPAK në kuadër të dosjes Metamorfoza.
Burime për Vizion Plus shprehen se një tjetër goditje pritet që të zhvillohet me urdhër të prokurorisë së posaçme. Në verifikim nga drejtësia janë shefa krimesh në Tiranë, të dyshuar si të përfshirë në një vrasje të bujshme në kryeqytet. Ndërkohë që në tavolinën e SPAK është ende dosja Metamorfoza e cila e ndarë në dy fraksione pritet që të shkundë kupolën e policisë.
AMP po përgatitet që të nisë paralelisht edhe procesin e Vettingut ku drejtuesit e lartë do të verifikohen për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.