Të huajt blejnë prona në Shqipëri, investojnë mbi 60 mln euro në 3 muaj…

Tregu i pasurive të paluajtshme po kthehet në biznesin më të lakmuar të investitorëve të huaj në Shqipëri.

Mbi 60 milionë euro janë investuar për shit-blerjen e pronave në periudhën korrik-shtator 2021, rekord historik ky për fluksin e parave që qarkullon ky sektor.

Interesi në tregun e pronave të paluajtshme i ka dhënë shtysë edhe rritjes së fluksit të investimeve të huaja gjatë vitit që lamë pas, duke u afruar me shifrat e vitit 2019.

Pas pasurive të patundshme, fluks i lartë investimesh nga të huajt është parë në industrinë minerare dhe në banka e kompani sigurimesh në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas shteteve, Holanda rezultoi për të tretin vit radhazi investitori më i madh. 139 milionë euro ose 20% e fluksit të parave, ishin kontribute nga ky shtet në 2021-n.

Investimet holandeze lidhen në pjesën më të madhe me kompaninë Statkraft, pronare e shoqërisë Devoll Hydropower.

Investitori i dytë më i madh është Italia, e cila me kompanitë e saj në vendin tonë i është rikthyer aktivitetit të zakonshëm post-pandemik.

Rritje të ndjeshme në 2021-n pati edhe Turqia. Sipërmarrjet më të rëndësishme turke në Shqipëri janë grupi Çalik, në banka dhe telekomunkacion dhe kompania e prodhimit të çelikut Kurum.