Kreu i qeverisë Edi Rama ka kërkuar ashpërsimin e gjobave për të gjithë personat që shkelin ligjin, dhe organizojnë takime elektorale, në një kohë kur rastet e Covid janë duke u rritur ndjeshëm. Rama tha se u ka dhënë porosi të gjithë socialistëve që të zbatojnë ligjin, dhe në rast se nuk e respektojnë atë do tiu nënshtrohen gjobave.
”Kam dhënë porosi për të gjitha strukturat që të zbatojnë rregullat, kam parë që shkeljet i bëjnë të gjithë, që nga presidenti, te Partia Demokratike, te ndërmarrja e gruas së presidentit, te Partia Socialiste dhe te të tjerët akoma. Nesër do presim konkluzionet e Komitetit të Ekspertëve, dhe me rishikimin e gjobave për lokalet, do të shohim dhe sanksionet për Partitë politike.
Të jeni të bindur se çdo denoncim do të marrë ndëshkimin e merituar, qofshin ministra, qofshin deputetë, qoftë presidenti. Unë jam shumë strikt në këtë që them, nuk ka asnjë arsye që të tjerët të mos bëjnë të njëjtën gjë që bëj unë. Është e patolerueshme, e pajustifikueshme, dhe tërësisht e pasjellshme. Ministri i Brendshëm duhet të kërkojë shpjegime dhe të marrë masa për komisariatet ku zhvillohen këto mbledhje, ka dhe takime ilegale që presidenti i bën kokë më kokë me ata të OFL-së”, tha Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi më herët një ashpërsim të masave kufizuese, pas një mbledhje që do të ketë ditën e nesërme Komiteti Teknik i Ekspertëve.