Tatimet thirrje bizneseve: Përditësoni kodin e aktivitetit, nëse keni pasur probleme me ndihmën financiare dhe lejen për të punuar

Shpërndaje

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fton të gjithë tatimpaguesit, të cilët si arsye për refuzim të aplikimit  për ndihmë financiare kanë mospërputhjen e Kodit të aktivitetit me përshkrimin e aktivitetit, apo me llojin  e veprimtarisë që ata realisht ushtrojnë, se duhet të përditësojnë të dhënat e tyre.

Përditësimi i të dhënave të regjistrimit nga tatimpaguesi, person fizik apo juridik, vjen si detyrim i përcaktuar në nenin 43 të Ligjit nr.9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar. Për të përditësuar të dhënat, konkretisht kodin NACE dhe përshkrimin e aktivitetit:

Tatimpaguesit me status ligjor Person fizik, duhet të aplikojnë në platformën e-albania, në menunë Biznesi im.

Detajet shpjeguese mbi mënyrën e aplikimit dhe përdorimit të këtij shërbimi i gjeni në : https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=4965

Tatimpaguesit me status ligjor person juridik, duhet të paraqiten pranë sporteleve të QKB në të gjithë vendin

Përditësimi dhe saktësimi i të dhënave të mësipërme do të mundësojë trajtimin në mënyrë korrekte të ankesave të tatimpaguesve, vijimin e procesit të aplikimeve për ndihmën financiare dhe kalimin e pagesave në llogarinë e individëve, të cilët pas verifikimit të të dhënave do të rezultojnë përfitues të ndihmës.

Problematika

Disa bizneseve iu refuzua ndihma e paketës së parë, ndonëse ishin në listën e aktiviteteve të mbyllura. Të tjerë u gjendën përballë paradoksit ku as merrnin ndihmë, as lejoheshin të punonin.

Burime nga Tatimet thanë për Monitor se kjo ka ardhur si rezultat i mos vendosjes së saktë të kodeve ekonomike të bizneseve në Momentin e regjistrimit. Pra në momentin që janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk është vendosur një kod ekonomik sipas objektit të aktivitetit. Kjo ka bërë që të mos përputhet Kodi me objektin e aktivitetit. Kjo mospërputhje thonë tatimet, do të shikohet në ditët në vijim.

Burime nga e-Albania pohuan se E- Albania është sistem automatik, thjesht përpunon të dhënat e gjendjes civile, tatimeve etj, dhe bën lidhjen e sistemit.  Në momentin që sistemi nuk gjen të dhëna ose të dhënat janë gjysmake, s’ka se si proceson. E albania thjesht ka databazën e të dhënave dhe sistemi i përpunon vetë automatikisht./Monitor

Shpërndaje