GËZIM KRUJA
Humorist – “Artist i Merituar”
“Tanë jetën kam kenë regjizor i vetvetes. Nuk ka pasuni ma të madhe se me të dashtë populli.”
Intervistë e Mjeshtrit të Madh të humorit, Gezim Kruja, dhënë për radion BBC në Shqip, në dhjetorin e vitit 2007. Marrë nga libri “Gjurmë Zërash” i gazetarit Adrian Hoti
Gëzim Kruja lindi në Shkodër në vitin 1939. Gjatë 45 viteve në skenë ka marrë pjesë në rreth 2500 shfaqje estrade, ku përveçse si humorist, ka spikatur edhe si akrobat, xhongler, imitues, ekuilibrues, kloun cirku, zbutës kafshësh. Gëzim Kruja njihet jo vetëm si interpretues por edhe si krijues, si autor i dhjetra komedive, qindra pjesëve të shkurtra humoristike si dhe i një libri në po këtë gjini i botuar kohët e fundit.
Z. Kruja, këto vitet e fundit, po ju shohim shumë rrallë në skenë?
A është kjo një tërheqje nga humori apo ju humorin nuk e bëni vetëm në skenë? Keni shumë të drejtë, se këtu janë ba disa grupe humori, gjithsecili ka lojën e vet, gjithsecili ka bukurinë e vet, ka trupë profesioniste, unë kam grupin tim: ‘Eurogrup Gëzimi’. Këto grupet kanë nji gja të keqe, se nuk arrijnë me u bashku kurrë, asht si puna e partive, asht zor me ra në kodi.
Ku e keni gjetur veten ju si grup? Cilat janë skenat tuaja, publiku juaj?
Ja, p.sh.: Vitin e Ri e kalova në Athinë, pati shumë sukses. Më ftojnë në Itali, në Athinë, në Zvicër, pra jashtë shteti më ftojnë. Në Shkodër kush më fton? Unë jam gati me ba tashti (kam bisedu edhe me drejtorin e teatrit) një shou në Shkodër me artistat ma të mirë, në qoftë se kanë me pranu se asht zor me i marrë sot. Pare nuk kam, se të kisha pare, me pare blej këdo. Napoleon Bonabarti ka thanë: “Parja ban luftën”, na dona me ba humorin.
Gëzim Kruja të bëheni aktor a ka qenë një ëndërr e juaja që u bë realitet apo ishte si një zbulim spontan i talentit tuaj?
Kjo asht me të leme, unë gjyshin s’ e kam njoftë, po gjyshi im paska qenë bejtaxhi, kurse babën e kam njoftë se më ka lanë 19 vjeç, po ka qenë humorist në dasma, edhe unë i biri i tij jam, kurse Çimi, që është djali jem s’ ka ku me deviju, edhe ai asht i mirë në këtë fushë. Humori asht me të leme, lodhu kot, ban shkollë sa të dush, humori asht me të leme. Dramë mund të lozin kushdo, komedi asht shumë zor, por kanë fillu me ba me qesh shumë vetë, kanë fillu me këndu shumë vetë, këndojnë edhe me kaseta e CD.
Si janë fillimet tuaja me estradën profesioniste të Shkodrës? Me ç’rol u aktivizuat fillimisht?
Unë jam aktor i vitit 1960. Që kur kam dalë për herë të parë me estradën profesioniste, ma heret jam aktivizu me grupin artistik në fabrikën e Duhan-cigareve, me Klubin e Rinisë, me Kinema Punëtorin, që kanë qenë atëherë. Për rolin e parë, më pat thirrë pastë dritë, Paulin Sekuj, njat regjizor kam pasë t’parin edhe s’kam pasë ma regjizor, se tanë jetën kam kenë regjizor i vetvetes. Më aktivizoi se më pau tu lujt me fabrikën e cingareve, i pëlqeva, mandej fillova me estradën në një pjesë me dy gjela, ma vonë me qen. Kjo ka një lodhje të tmerrshme. Se unë hala gjelat i kuptojshe veç kur dojnë me hangër e me pi ujë… Bile po të tregoj një gja, ishim në Lushnje, kisha gjelin maje kokës, shumë i ri atëherë edhe këndonte gjeli.
I thoshe këndo-këndonte.
Bërtet njeni nga salla: Bane edhe një herë me këndu gjelin.
I thashë: Gjeli jem s’ kupton dy herë nji muhabet, për humor….
Unë i kam t’shkrume po s’i mbaj mend, me mijëra role kam lujt, të tana gjinitë i kam lujt.
Në gjithë këtë mori rolesh që keni interpretuar, kë veçoni? Cilët kanë qenë më të suksesshmit për ju?
Roli ma i zorshëm por edhe i suksesshëm për mu, ka kenë numri i telit, n’tel jo vetëm kam ecë por edhe kam kcy vallen e Kukësit, pa shkop n’dorë, n’ dorë të Zotit, n’ekuilibër të fortë. Kur arrita bana shoun, në 2001-shin, në Tiranë, isha 60 vjeç dhe kam hyp prap në tel. Më kanë thanë ato të cirkut: ti je budallë, po a ka artist qy hyp 60 vjeç maje telit me kërcy valle. Ai ishte numri ma i zorshëm. Po kështu të vështirë por edhe të bukur kanë qenë pjesët me shpend edhe me kafshët, se dihet kafsha asht kafshë, s’po kuptojnë njerëzit jo kafshët.
Sa e vështirë është për ju si një humorist të bëni tipin e seriozit, kur është e nevojshme? Sa ju besojnë njerëzit kur ju jeni serioz?
Më ka ndodh një rast, i kishte pasë vdekë baba një shokut tem dhe si e kena zakon me i dhanë lamtumirën e fundit, më sheh i biri dhe e merr gazi. Unë u bana nervoz. Të nesërmen e takova dhe i thashë: a të ka dekë baba ty a mu që qeshe?
Shumë nga monologjet dhe pjesët e humorit që keni interpretuar me estradën janë krijuar nga ju vetë. A mund të kujtojmë ndonjë prej tyre?
Nji plakë në fshat duke kullot disa gomarë në arë, dy djem të ri dojnë me u tallë me plakën e i thojnë:
A po lodhesh nana e gomarve?
Plaka i përgjigjet: Nga pak o djemtë e mi.
Hajduti kishte vjedhë një lopë, një viç edhe një dele. Sa del nga fshati e xen roja me pushkë: mos luj!
Ku i more kto bagëti? Ec me mu në polici.
Pashë nderin mos m’ço në polici, se po i ndajmë bashkë.
Jo, jo, n’polici thotë roja.
Ma mirë mor t’i ndajmë përgjysë.
Dikur i asht mbushë mendja rojes.
Po si po i ndajmë? – pyet roja.
Hajduti i thotë: unë edhe lopa po marrim viçin, ti merr delen.
Dakord, – thotë roja.
Sa shkon në shtëpi, na ishim dy vetë, po si ma bani lopën hajduti njeri.
Njeni e kishte grun e bukur, po memece. Pesë vjet martesë s’ja kishte ndi hala fjalën. Iu dhimbte. Merr e fol me gishta. Ha, ça m’ka gjet. Tanë kjo bukuri mos me folë gruja. I thet doktorit: pashë nderin, a ka mundësi me ma ba operacion me më folë gruja, se u thava me ia ndi zanin njiherë. Dikur i thotë ai: Po ta baj operacion, por duhen shumë pare.
Të paguaj sa të dush, shes shpinë, veç grunë ta ndi tu folë.
I bajnë operacion, del me sukses operacioni.
Mas nja nji muaji fillon me i thanë gruja: Ku qe? Ça bane? Të kam pa me nji femën tu folë. Mos i fol kësaj, mos pi raki, mos hajde vonë.
Ia pruni në maje të hundës. Ou, ça m’ gjet mu. Unë ta kisha lanë grun si ka kenë përpara, pa za, a ban.
I thotë doktorit: pashë nderin, a ke mundësi po të paguaj sa të dush, ma ban grun mos me folë, si ka kenë përpara.
I thotë doktori: Nuk mund ta baj.
Aman, mor se më fike. Si me ia ba?
I thotë doktori: Po të baj operacion ty, po të shurdhoj mos me ndi grun.
Më thotë:
Sa ban ky papagalli? I përgjigjem
Ban 700 lekë.
Po pse?
Din një gjuhë të huaj.
Po ky papagalli tjetër sa ban?
800 lekë.
Po pse?
Din një gjuhë të huaj, po asht edhe përkthys.
Po ky tjetri?, thotë ajo.
Ky ban 1000 lekë.
Sa gjuhë të huaja din?
Ky s’din asnji një gjuhë të huaj, po asht përgjegjësi i ktyne.
Në shumë nga rolet tuaja, shprehni ndjeshmëri të veçantë ndaj grave, po në realitet si është Gëzim Kruja?
Mu ma kanë njit epitetin ‘Armiku i grave’ edhe kam ba nji monolog të famshëm që e kam edhe në libër “Armiku i grave”, po në fund e mbylli kaq bukur: “Ma besoni mari gra, ju kam rrejt se s’ju kam sha; burrat lodhen kot poshtë e përpjetë se pa gratë e tyne nuk kanë jetë”. Tanë jetën jam mundu me ba humor vetëm familjar, se me politikë s’ jam marrë.
Po në periudhën e monizmit a ju ka sjellë ndonjëherë telashe humori apo keni qenë shumë i kujdesshëm?
Unë jam rujt shumë, se një rast kam pasë, kisha një rol me Drande Xhain. Shitshe tre papagalla. Po ju tregoj shkurt, asht humor që nuk vdes kurrë. Mbas këtij skeçi, mas nja dy ditësh, instruktori i partisë, (s’ka nevojë për emën) më tha: na e ke ba me qëllim atë pjesë…. Përveç kësaj kanë kenë shumë raste të tilla që kena rreziku me humorin që kena ba.
Çfarë veçoni nga jeta juaj artistike? A ka momente që i kujtoni si më të lumturat po ndoshta edhe më të vështirat?
Momente kam shumë. Nuk ka pasuni ma të madhe se me të dashtë populli. Gjithë m’ qeshin, m’ përshndesin, por po tregoj një rast të veçantë për mu që e kam shkru, që do ta mbaj në historikun tim. Isha në Mynih, në Gjermani. Isha me një të Kosovës, kisha të veshun xhakovente, ftohtë ishte, me gjyslykë me kapele, kur shof nji gru me nji burrë. Bërtet ajo gruaja: O Gimo, shikoje këtë gjermanin që i ngjitka Gëzim Krujës. Unë hoqa kapelen: jam origjinal maj zojë, i thashë… Kjo ishte gjaja ma e madhe në botë për mu. Të shkosh në Tiranë respekte njeni respekte tjetri, po sa pare ban, jam artist kam punu 46 vjet. Kam pasë disa citate të tjera, pat ardhë një ish-ministër, më tha: po he more Gëzim kam ardhë tri herë në Shkodër e të kam pa në biçikletë. I thashë: a deshte me më pa në kamë? Kurse një tjetër në Tiranë më tha: Ku je, pasuri kombëtare? I thashë: “Jam pasuni kombëtare, por jam pa pare”.
Ju thoni se artisti, humoristi këtu nuk vlerësohet aq sa duhet megjithatë ju jeni vlerësuar me titullin “Artist i merituar” shumë vite më parë.
Jam i pari artist në Shkodër që kam marrë titullin “Artist i meritum” në ’77-ën. Kur kisha 60 vjetorin më dhanë “Krenaria e qytetit” nga Bashkia Shkodër. Në 2004-shin ma aprovun “Mjeshtër i madh i popullit” kurse në Presidencë ma kthynen “Naim Frashëri i Artë”. Unë i thashë: I kam edhe dy Naima të palamë në ar. Njeni më tha: mos u nxej se vëllezërit Frashëri janë tre, po si more tre nuk e kalon klasën.
Gëzim Kruja profesioni juaj është të bëni të tjerët të qeshin. Po juve çfarë ju bën të qeshni?
Zor me më ba me qesh. Unë du me pa nji gja të madhe atëherë qeshi, por shumë vetë ma bajnë këtë pyetje edhe kënaqem, më thonë edhe emrin e ke Gëzim. Ma kanë njit me qëllim me gëzu të tjerët.
Gëzim Kruja përveç humorit me çfarë tjetër ju pëlqen të merreni?
Tifoz jam për sportin, për Vllazninë vdes, e kam ndjek gjithkund, tash nuk mundem ma, se për shpirt kisha me shku gjithkund ku shkon Vllaznia por nuk kena ekonomi me i ndjek, makinë nuk kam, vetëm biçikletë. Në karrierën teme vetëm dy biçikleta kam pas deri tashti, mendoj edhe 1 biçikletë me e ba pa dekë, me i pasë tri biçikleta, gja e madhe si artist. Kur isha në Amerikë më thoshin: Ti, kaq artist i madh je, a ke menaxher? A ke bodigard? A ke doktor personal? Unë i thashë: E han itu n’kthesë e ik në drejtim të paditun.., kaq më rujnë.
Pavarësisht 67 vjeç sot vazhdoni të jeni aktiv në skenë. Deri kur shpresoni të jeni i tillë, të mos i ndaheni skenës?
Jam artist, kam punu 46 vjet, prap jam në lëvizje. Unë e kam thanë një fjalë, Pitkini 80 vjeç del në skenë, unë kam thanë deri në 70 mujsha me arrit 10 ma pak se ai, por e shoh vedin e më kujtohet ajo shprehja angleze: Jo sa vjeç je po sa shëndet ke… Gruaja më thotë mos i thuj kujt se je 60 vjeç, jo maj ma, jam 50… hahaha…
BBC në Shqip, Dhjetor, 2007