“Ta nënshtrojmë Veriun”! Urdhri i krerëve komunistë për masakrat mbi shqiptarët nacionalistë…

Shpërndaje

Dokumentet arkivore, ku dëshmohen urdhërat e krerëve komunistë sipas orientimeve të jugosllavëve, për të nënshtruar me armë gjithë veriun e Shqipërisë, duke nxitur kështu luftën civile

1 qershori i vitit 1944, është zyrtarisht data kur brigadat partizane u urdhëruan që të marshonin drejt veriut të Shqipërisë dhe ta nënshtronin atë me forcën e armëve. Dokumenti, ku jepet ky urdhër mban pikërisht këtë datë, dhe ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit në fondin 41, dosja 53.
Ky marshim i forcave partizane nga Jugu drejt Shqipërisë së Mesme dhe Veriut u bë me porosi nga ushtria partizane jugosllave, e cila, më 18 maj 1944, në një letër për Shtabin e Përgjithshëm, e cila ruhet në AQSH, fondi 41, dosja 135, shkruan: “Me ardhjen e divizionit t’uej në Shqipëninë e mesme, me bamjen e planeve të përbashkëta aksionesh të njësiteve t’ueja dhe t’onave, na mundemi shpejt dhe me siguri me thye reakcionin dhe okupatorin gjerman… Thyemja e reakcionit në Shqipëninë e mesme dhe në terrenin e Dibrës, Kiçevës, Strugës, Tetovës dhe Gostivarit, do të thotë me e izolue okupatorin gjerman dhe me e sulmue kur të duesh e si të duesh.”

13 ditë pas kësaj letre, shtabi i përgjishëm i Ushtrinë nacional Çlirimtare, ka dhënë urdhërin e cituar më sipër (1 qershor 1944) që brigadat partizane të nënshtronin veriun dhe të luftonin reaksionin shqiptar (forcat nacionaliste).
Në urdhrin, që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare jep për të kaluar në veri më 1 qershor ’44, shkruhet ndër të tjera:

“I caktojmë divizionit të I-rë sulmues detyrën që të marshojë drejt Shqipërisë së mesme. Objektivat e Divizionit:
1.Të goditij forcat e armikut.
2.Të shkatërrojë rrugët e komunikacionit të tij.
3.Të goditë e të likujdojë Bazin e Canit, legalitetin dhe forcat e ndryshme të reaksionit e të qeverisë kuislinge të Tiranës.
4.Të spastrojë zonat Çermenikë, Zaronikë, rrethe të Tiranës Mat e Dibër.
5.Të ngrejë dhe të forcojë pushtetin Nac. Çlir. në zonat e çliruara.
6.Të mobilizojë popullin në luftë…..

Urdhri i mësipërm mban numrin 5. në këtë ditë janë dërguar një varg urdhrash për Divizionin e I-rë. Në të njëjtën dosje me nr. 53, gjendet edhe një tjetër urdhër që i paraprin masakrave që do të ndodhnin në veri, urdhri me nr.8, dërguar po me 1 qershor 1944. Në të shkruhet:


“Si rregull i përgjithshëm xhandarët, mercenarë të qeverisë kuislinge kur zihen pushkatohen, por kur shihni se ata nuk luftojnë dhe se dorëzohen me shumicë, kur kuptoni se ata kanë qenë njerës të gabuar dhe se është ndër ta dëshira që të futen në rrjeshtat e ushtris s’onë, ose kur bindeni se nuk janë asish që e kanë mercenarizmën si profesion mundet edhe t’i falni duke i porositur që të mos marrin më armët kundra Ushtris Nacional-Çlirimtare. Oficerat e xhandërmarisë që zihen me turma xhandarësh të këtillë pushkatohen si tradhtarë.Djegia e shtëpive duhet të përdoret vetëm kundra tradhtarëve që përcaktuam më lart; kjo nuk duhet të jetë një masë që të përgjithësohet kundra gjith atyre që gjenden në rrjeshtat e reaksionit. Në konfiskimin e pasurisë së tradhëtarëve duhet të mbani gjithmonë parasysh që t’i lihet familjes një pjesë e mjaftueshme për të jetuar dhe të mbahet karshi saj një sjellje korekte. Të evitohet plaçkitja…”

Pas kësaj, më 14 qershor 1944, Shtabi i përgjishëm i shkruan shtabit maqedon (fondi 41, dosja 135) se: “Divizioni i I-rë i joni është duke kaluar në Shqipnin e veriut dhe të mesme për të ndërmarë veprime ushtarake dhe politike. Kjo pjesë e Shqipërisë paraqitet mjaft në kondita të vështira për luftën tonë…  Në sektorin e Dibrës dhe të Peshkopis forcat t’ona do të ndeshen me gjermanët dhe reaksionarët dhe për likuidimin e tyre duhet bashkëpunimi i ngushtë ushtarak dhe politik i të dy palëve… Kemi bindjen se ndërmarjet e përbashkëta do të japin rezultate të mira, do ti japin një hov të ri luftës në ato sektore do të mobilizojnë popullin e atyre krahinave rreth frontit Nacional Çlirimtar të Jugosllavis dhe të Shqipërisë dhe këto veprime të përbashkëta do të kenë reperkusione të thella në Kosovë, ku do të hapen perspektiva lufte te gjera dhe pjesmarrje më aktive në luftë të popujve të Kosovës  në Frontin Nacional Çlirimtar tuajin dhe në ushtrinë Glorioze të popujve të Jugosllavisë…”.

Tabloja reale e ngjarjeve ishte 10 fish më kriminale nga ç’mund të përfytyrohet nga këto dokumente. Dëshmitë e shumta që vijnë prej familjeve në veri të vendit, të cilat u masakruan gjatë kësaj fushate të përgjakur, që komunistët ndërmorën mbi vëllezërit e tyre shqiptarë në veri, dëshmon qindra krime: vrasje, tortura, djegje shtëpish, grabitje pronash e spastrime fshtarash të tërë.
Raportet e shumta që i dërgoheshin Shtabit të Përgjithshëm prej krerëve të këtij divizioni që po vepronte në gjtihë zonën e veriut, dëshmojnë se armiku i tyre kryesor ishin shqiptarët e veriut që nuk e donin komunizmin dhe nuk pranonin të vendosej pushteti prej tyre. Ata raportonion se gjermanë hasnin pak, e në të shumtën e herëve fare.
Kjo fushatë dhune e spastrimi vijoi deri në fund të Luftës dhe u intensifikua menjëherë pasi komunistët vendosën pushtetin e tyre.

Shënim: Fotografia qëndrore, tregon kontrollet partizane në dhjetor 1944 në shtëpitë e qytetarëve shkodranë. Kontrollonin për flori e çdo pasuri tjetër që ju zinte syri.

Shpërndaje