15 kamera nga 155 në total janë çmontuar nga banesat e dy personave me precedentë penalë, Emiljano Shullazi dhe Pajtim Serjani. Këto janë detaje që zbardhen pas realizimit të operacionit “Fijet” në qarkun e Tiranës.
Kamerat mësohet se ishin vendosur mes shtyllave dhe në muret e pallateve për kontrollimin e rrugës, në zonën e ish-Parkut në ‘Rrugën e Kavajës’.
Emiliano Shullazi ndodhet pas hekurave, ai ka qënduar 2 vite në regjimin “41 biss” ose siç njihet ndryshe burgu ‘i egër’. Shullazi është dënuar me 55 vite burg në total nga Gjykata e Krimeve të Rënda për disa ngjarje kriminale.
E po ashtu, po gjykohet edhe për disa të tjera, vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut të ndodhura në vitin 2005, pas rrëfimit të të penduarit Luftar Reçi.
Pajtim Serjani njihet si mik i Shullazit, atij i ka trokitur OFL në derë dhe i ka kërkuar të justifikojë pasurinë. Ai është një emër i njohur për policinë e Tiranës, pasi është arrestuar dhe dënuar për gjobëvënie me tre vite. Në vitin 2015 Serjanit i është bërë atentat të Rruga e Kavajës.