
Një valë e re sulmesh izraelite në jug të Libanit vrau të paktën pesë persona, në një tjetër shkelje të armëpushimit, një ditë pasi u ndalën armiqësitë mes Izraelit dhe Iranit, transmeton Anadolu.
Një person u vra në një sulm ajror izraelit që shënjestroi fermën e tij në qytetin Adshit në distriktin Nabatieh, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA).
Një 16-vjeçar u vra gjithashtu në një sulm me dron në qytetin Haboush.
Dronët izraelitë kryen gjithashtu një sulm në agim në lagjen Al-Marj të qytetit Kfar Rumman, ku humbën jetën edhe dy persona të tjerë.
Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë trupin e një personi tjetër dhe po vazhdojnë kërkimet për të zhdukurit pas sulmeve ajrore që goditën disa ndërtesa në një zonë të banuar në qytetin Tyre.
Dronët izraelitë kryen gjithashtu dy sulme të njëpasnjëshme brenda më pak se dhjetë minutash pranë Klubit Husseini në qytetin Sharqiyah, shtoi NNA.
Sulmet e së martës erdhën një ditë pasi Irani dhe Izraeli i dhanë fund shkëmbimit të sulmeve mes tyre, pas përshkallëzimit të tensioneve të shkaktuara nga sulmet izraelite ndaj kryeqytetit libanez. Teherani ka paralajmëruar për një përgjigje “shkatërruese” nëse sulmet izraelite në Liban vazhdojnë.
Sipas autoriteteve libaneze, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 3.600 persona, kanë plagosur mbi 11.000 të tjerë dhe kanë zhvendosur më shumë se 1,6 milion banorë që nga 2 marsi.


