Në një kohë kur futbolli ka marrë gjithë vëmendjen e vendit, sportet e tjera mbeten të harruara. I këtij mendimi është presindeti i Komitetit Olimpik , Viron Bezhani i cili në një intervistë për VIZION PLUS thotë se në 30 vite nuk është bërë asnjë investim për sportin në tërësi.
PRESIDENT I KOKSH: ”Sporti është në ditët e saj më të zeza. Investimet janë mjaft të ulëta, sa për të mbajtur gjallë. Shiheni këtë Qendër Olimpike, me rrathë olimpikë ne nuk kemi zyra, është shtëpia jonë. Po shiheni kush e menaxhon këtë qendër bashkia. Shiheni kush rri brenda.”
Kreu i Komitetit Olimpik akuzoi qeverinë se cdo gjë që thotë lidhur me sportin është e pavërtetë ndërsa mori shembullin e Kosovës.
PRESIDENT I KOKSH: “Nuk kanë mendje për sport dhe këtë e them me garanci për arsye se si President i Komitetit Olimpik kam shëtitur në shumë federata dhe kam parë nga afër në çfarë gjendje të mjerushme është sporti sot. Shiheni Kosovën si e ka ligjin e sponsorizimit, menaxhimit të sportit. Kosova ka për të qenë shumë shpejt vendi i parë në Europë për menaxhimin e sportit.”
Duke folur për bojkotin e kampionatit të futbollit, ai theksoi se dicka të tillë e kërkon dhe nga presidentët e federatave të tjera.
PRESIDENT I KOKSH: ”Kam bërë kërkesë dhe të gjithë federatat duhet të ngrenë zërin bashkë. Nuk ka arsye, nuk ka logjikë që sporti sot të jetë këtë gjendje.”
Rifillmi i sporteve elitare në vend nuk po sheh dritë jeshile, ndërsa sportistët janë në pritje të një vendimi final.