SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e tij, Alqi Bllako le mandatin e deputetit…

Shpërndaje

Alqi Bllako ka vendosur të lerë mandatin e deputetit. Lajmin e bëri vetë të ditur me anë të një postimi në rrjetet sociale. Vendimi vjen pasi këtë të martë, Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e deputetit.

Ai dyshohet se ka falsifikuar dokumente për shpronësimin e tokës ku është ndërtuar inceneratori i Fierit dhe se ka favorizuar një prej kompanive fituese. Bllako po ashtu dyshohet se ka marrë rreth 15 milionë Lekë për të favorizuar kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”.

Në reagimin e tij, Bllako shprehet i tronditur nga kërkesa e SPAK. Teksa thotë se mburojë nuk ka statusin e deputetit, por pafajësinë, të cilën deklaron se do ta provojë në gjykatë, Bllako shprehet se të mërkurën do t’i paraqesë Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit si deputet.

Në këtë mënyrë prangosja e Bllakos është çështje orësh. Sipas asaj që ka mësuar gazetarja Klesiana Omeri, në momentin që protokollohet dorëheqja, deputeti zhvishet nga çdo imunitet. Pas kërkesës së SPAK, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kishte vendosur që ta shqyrtonte ditën e nesërme në orën 18:00. Por mesa duket kjo procedurë nuk do të ketë arsye për t’u kryer pasi vetë Bllako ka vendosur të heqë dorë nga mandati.  

Ndërkohë, pas zyrtarizimit, Kuvendi ia çon shkresën KQZ-së për vendin vakant në parlament. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi do duhet që të zhvillojë më pas një mbledhje dhe mandatin t’ia japë një kandidati tjetër në listë. Në radhë tek lista e deputetëve rozë është Pandeli Majko.

Shpërndaje