SPAK: 16 grupe kriminale të rrezikshme, lidhje me gjyqësorin, policinë dhe median…

Shpërndaje

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar raportin vjetor prej 109 faqesh, ku evidenton praninë e 16 grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë në Shqipëri. Sipas raportit, këto grupe kanë lidhje familjare dhe miqësore, ndërsa veprojnë jo vetëm brenda vendit, por edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës.

Shtrirja dhe aktiviteti i grupeve kriminale

Këto organizata janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. SPAK ka arritur të provojë me sukses aktivitetin kriminal të 10 grupeve, të cilat vepronin në disa qytete:

  • Tiranë (3)
  • Durrës (2)
  • Elbasan (2)
  • Shkodër (1)
  • Lezhë (1)
  • Kukës (1)

Lidhje me institucione dhe përdorim i teknologjisë

Një veçori e këtyre grupeve është struktura e tyre hierarkike dhe ndarja e roleve, ku përfshihen edhe persona nga gjyqësori, prokuroria, policia, media dhe bota akademike.

Raporti thekson se kriminelët përdorin komunikime të koduara si Sky ECC dhe pastrimin e parave përmes kriptovalutave. Administrimi i të dhënave të Sky ECC, i kombinuar me prova të tjera, ka ndihmuar SPAK-un të identifikojë të paktën 9 grupe kriminale.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Analiza e komunikimeve të dekriptuara ka ndihmuar në identifikimin e aktivitetit kriminal, modus operandi dhe lidhjet me grupe të tjera, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ky proces është realizuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Europol-in dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, duke siguruar që provat të jenë të pranueshme në gjykatë.

Shpërndaje