Partitë politike kryesojnë listën e institucioneve më të korruptuara në Shqipëri. Nga sondazhet e kryera nga Balkan Baromter, rezulton se 90 për qind e të pyeturve besojnë se më të korruptuarat janë partitë politike dhe gjyqësori.
Qytetarët shqiptarë kanë humbur edhe besimin tek media, ku 59 për qind besojnë se ato janë të korruptuara. Vazhdon të forcohet dëshira për të emigruar dhe mbështetja ndaj integrimit në BE.
Kriza e gjatë politike në vend duket se ka ndikuar në uljen e besimit të qytetarëve shqiptarë tek partitë politike, që tani kryesojnë listën e institucioneve të tjera të korruptuara, të ndjekura nga gjyqësori, doganat dhe shëndetësia. Nga sondazhet e kryera nga BalkanBaromter, rezulton se 90 për qind e të pyeturve besojnë se partitë janë më të korruptuarat.
Edhe për gjyqësorin që renditet e dyti në listën e institucioneve më të korruptuara të Shqipërisë, 90 për qind e të pyeturve mendojnë negativisht dhe pranojnë se kanë dhënë ryshfet.
Bie në sy humbje e besimit të qytetarëve edhe për median. Sipas BalkanBarometër, 59 për qind e të pyeturve në Shqipëri besojnë se mediat janë të korruptuara.
Kjo është hera e parë që qeveritë dhe gjyqësori renditen së bashku në krye të listës së institucioneve me të korruptuara, ndërsa duhen studime më të theluara për të kuptuar nivelin e mosbesimit dhe të korrupsionit në media.
“Është e qartë se çfarëdo përpjekje që po bëhet për ta bërë punën e qeverisë më efikase dhe transparente ka dështuar dhe tregon mangësi që duhen rimenduar,” thuhet në rekomandimet e raportit.
Punësimi është një tjetër problem dhe sipas Balkanbaromter është rritur pasiguria e qytetarëve për punësimin.
Përsëri Shqipëria është ekonomia e vetme e rajonit ku përqindja e qytetarëve që duan të largohen është më e madhe se e atyre që duan të qëndrojnë dhe janë optimistë për të ardhmen. Kështu, sipas BalkanBarometrit, 49 për qind e të pyeturve duan të largohen dhe 46 për qind duan të qëndrojnë në Shqipëri.
Në përgjithësi në mbarë rajonin ka një qasje dhe mendim pozitiv për Bashkimin Europian dhe e mbështesin integrimin.