Snajperisti izraelit vret dy gra brenda kishës së Gazës! Në shënjestër edhe Manastiri i Motrave të Nënë Terezës…

Shpërndaje

Një snajper i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit ka vrarë dy gra brenda Famullisë së Familjes së Shenjtë në Gaza të shtunën, sipas Patriarkanës Latine të Jerusalemit, e cila mbikëqyr Kishat Katolike në të gjithë Qipron, Jordaninë, Izraelin, Gazën dhe Bregun Perëndimor.

Shumica e familjeve të krishtera brenda Gazës janë strehuar brenda famullisë që nga fillimi i luftës, tha patriarkana në një deklaratë.

Dy gratë, nënë dhe bijë, po shkonin në Manastirin e Motrës kur njëra prej tyre u ekzekutua teksa po përpiqej ta çonte tjetrën në vend të sigurt. Shtatë të tjerë gjithashtu u qëlluan dhe u plagosën në sulm, raporton CNN.

“Asnjë paralajmërim nuk është dhënë, nuk është dhënë asnjë njoftim. Ata u qëlluan me gjakftohtësi brenda ambienteve të famullisë, ku nuk ka asnjë ndërluftues”, theksoi patriarkana në deklaratë.

Patriarkana tha se tanket e IDF kishin shënjestruar gjithashtu Manastirin e Motrave të Nënë Terezës, ku strehohen 54 persona me aftësi të kufizuara dhe është pjesë e kompleksit të kishës. Gjeneratori i ndërtesës, burimi i vetëm aktual i energjisë elektrike, si dhe burimet e karburantit, panelet diellore dhe rezervuarët e ujit u shkatërruan gjithashtu.

Raketat e IDF e kishin bërë manastirin “të pabanueshëm”, thuhej në deklaratë.

Të premten, ligjvënësja në Mbretërinë e Bashkuar Layla Moran, një deputete për Oxford West dhe Abingdon, tha se anëtarët e familjes së saj të strehuar në kishë ishin “tepër të dëshpëruar dhe të tmerruar” pasi kushtet vazhdonin të përkeqësoheshin. Moran më 15 nëntor i tha Dhomës së Komunave të Mbretërisë së Bashkuar se një anëtar i familjes që ishte strehuar në kishë kishte vdekur. Duke cituar rrëfime nga familja e saj, Moran shtoi se gjeneratorët e energjisë elektrike në kishë ishin ndalur.

“Familja ime më tregon për fosfor të bardhë dhe të shtëna me armë zjarri në kompleksin e tyre. Grumbulluesi i koshave të mbeturinave dhe portieri janë qëlluar dhe trupat e tyre gjenden jashtë të shtrirë ende të pambuluar”– tha ajo.

Shpërndaje