Skandali me listën e pagave, zbulohet spiuni që u fut pa leje në sistem dhe dëshmia

Shpërndaje

Hetimi për publikimin e pagave mujore të 637 mijë shqiptarëve dhe shtetasve të huaj, të deklaruar si të punësuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, është mbyllur me fazën e pyetjes së specialistëve dhe shefave të IT në dy institucionet, Tatime dhe ISKSH.

Njësia “C” e specializuar për krimet kibernetike dhe Prokuroria e Tiranës, tashmë kanë administruar dhe kallëzimin penal të Ministrisë së Financave. Ndërsa gjatë kësaj faze, është arritur të ngrihen dyshime të forta mbi një specialist IT.

Punonjësi, emri i të cilit refuzohet të bëhet publik nga policia, rezulton të ketë hyrë gjatë periudhës Janar – Prill 2021 e në vijim, në serverin ku mbahen të dhënat e pagesave mujore të punonjësve shqiptarë dhe të huaj. Ky punonjës është mes 10 zyrtarëve të IT-së, që janë marrë në pyetje për këtë çështje.

Hyrja e tij në serverin ku mbahen të dhënat e rrogave mujore është faktuar, por nuk është pranuar nga ana e tij, që të jetë ai personi që ka kopjuar informacionin.

Deri në këtë fazë të hetimit, njësia policore “C” dhe prokuroria e Tiranës, kanë arritur të faktojnë futjen në server të këtij specialist IT në mënyrë të paautorizuar.

Sipas rregullores së Tatimeve çdo punonjës IT duhet të futet me “Username” në serverin e rrogave,duke pasur një autorizim të posaçëm me E-Mail apo qoftë dhe me dokument shkresor.

Njëherësh dhe më autorizimin jepet dhe arsyeja dhe qëllimi i futjes në sistemin e pagave mujore.

Specialisti i “IT”, ka hyrë në mënyrë të paautorizuar nga askush prej shefave të tij dhe për pasojë ai dyshohet nga policia dhe prokuroria se ka kryer kopjimin e 637 mijë pagesave të qytetarëve shqiptarë dhe të huaj.

Në total deri në këtë fazë të hetimit janë marrë në pyetje 10 persona, ndërsa çështjes i është bashkangjitur dhe kallëzimi penal i ministrisë së Financave dhe disa qytetarë të tjerë.

Nga veprimet e kryera deri në këtë moment rezulton se “Username”, për të pasur akses hyrje në servera, ku mbahen të dhënat e pagesave mujore, e kanë pasur shumë persona.

Por këta individë nuk kishin mundësi teknike për të kryer marrjen e dhënave në formatin që kanë dalë në publik. Pasi është marrë databaza qendrore, ku janë numrat e ID, pozicioni i punës, kompania etj./ Oranews

Shpërndaje