Në vitin 1995, në sajë të dashamirësisë së një grupi individësh, u krijua “Shkodra Basket”, ekipi i parë privat i basketbollit në Shkodër. Drejtuesit e këtij ekipi ishin Shpetim Hoxha dhe Korab Llazani.
Në vitin 1998, Llazani dhe Hoxha largohen për në Tiranë, dhe drejtimin e ekipit e merr Refik Vorfa, bashkë me Dritan Krujën në rolin e ndihmës-trajnerit. Me mbështetjen e Gëzim Galiqit dhe disa miqve të tij, me punë e sakrificë nga ana e profesor Refikut dhe e djemve të ekipit, arritën t’a gjallëronin basketbollin në Shkodër.
Pasioni dhe dëshira për përmirësim ishte aq e madhe, saqë nuk qe problem për ta, të stërviteshin në darkë nga ora 22:00-00:00 (pasi pallati i sportit ishte i zënë me ekipet e Vllaznisë).
E veçanta e këtij ekipi ishte se i jepej rëndësi e madhe anës edukative, duke përgatitur jo vetem sportistë të mirë, por edhe njerëz me parime dhe dinjitet. Kjo kohë mbahet mend si një periudhë ku të gjithë të rinjtë synonin të përfshiheshin në ekipet e basketbollit.
Nëpërmjet këtij ekipi, tashmë të rinjtë e qytetit kishin një alternativë të re, në rast se për një arsye apo një tjetër e kishin të vështirë të merrnin atë që meritonin tek ekipi Vllaznia.
Disa nga sportistët e dalë nga Shkodra Basket janë: Afrim Bilali (trajneri aktual i ekipit kombëtar), i ndjeri Elvis Saiti, Fred Tukja, Arvin Kotrri, Real Vorfa, Ervin Berdica, Rudi Beci dhe Herion Faslija.
Të gjithë arritën të shpalleshin kampionë kombëtarë me klubet ku u aktivizuan më vonë, por edhe të bëheshin pjesë e ekipit kombëtar, duke bërë kështu që Shkodra Basket të shndërrohej në faktor për basketbollin jo vetëm në Shkodër, por edhe në Shqipëri.
(Kërkojmë ndjesë për pamundësinë për t’i përmendur të gjithë, sepse është e vështirë të përmendësh të gjithë lojtarët që u aktivizuan për më shumë se një dekadë).
Ky ekip arriti të fitojë 2 kampionate kombëtare për të rinjtë në sezonet 1997-1998 duke mundur në finale ekipin e Tiranës dhe 1999-2000 duke mundur në finale ekipin e Vllaznisë.
Kundër të gjitha gjasave, Shkodra Basket arriti të funksionoje për 12 vite, pa asnjë mbështetje institucionale, përveç dashamirësisë së disa njerëzve pasionantë.
Në situata të vështira si tani, më shumë se kurrë kemi nevojë të kthehemi tek shembujt pozitiv të së kaluarës, që të marrim energji dhe motivim për të ardhmen.
Kujtojmë që dy nga ish-basketbollistët e “Shkodra Basket”, Ervin Berdica dhe Herion Faslija, janë pjesë e organizatës “Monogoal”, që synon rigjallërimin e basketbollit në Shkodër nën shembullin e ekipit në të cilin u rritën si lojtarë. /SportngaBajraktari