Prej ditës së djeshme ka nisur aplikimi për personat që duan të rezervojnë për riatdhesim.
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës bën të ditur se të gjithë të interesuarit duhet të hyjnë në faqen Airalbania.com.al dhe më pas në rubrikën Riatdhesime.
Qytetarët duhet të klikojnë në linkun e hoteleve, të cilat janë transformuar në struktura karantinuese Covid 19.
Pasi të kenë lexuar formularin e kushteve të karantinimit dhe vetëm pasi të shtypni butonin PRANOJ, do të mund të zgjidhmi dhomën tuaj të qëndrimit 14 ditor.
Pagesa për 14 ditë karantinimi
Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro, janë akomodim dhe fjetje që do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare, ndërsa kosto ushqimore ditore prej 7 euro, do të mbulohet nga vetë personi.
Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni një kod unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës.
Kthehuni në faqen Airalbania dhe me kodin unik që morët nga vërtetimi i akomodimit në karantinë, procedoni me rezervimin e biletës së avionit.
Pasi të keni përfunduar të gjithë procesin e rezervimeve do të jeni të gatshëm për të udhëtuar, sigurisht nëse dokumentacioni juaj identifikues është i vlefshëm dhe i plotë.
Destinacionet
Këshillohuni me ambasadat shqiptare në vendet ku ndodheni, për probleme të dokumentacionin identifikues.
Airalbania, e cila nis fluturimet këtë të shtunë drejt Romës, do të fluturojë gjithashtu në Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër.
Sigurisht, ne do të vlerësojmë kërkesën tuaj për destinacione të tjera, por ju lutem mos harroni se sot përballemi me vështirësinë e një lufte të paprecedentë, ndaj dhe përpjekjet tona për të aksesuar çdo destinacion, hasin vështirësi të konsiderueshme.
Destinacionet, që sapo njoftova, janë pika kyçe, që ju japin mundësi dhe qytetarëve të tjerë, që ndodhen në Europë, Amerikë, Kanada e gjetke për t’i aksesuar.
Çmimi biletës
Detajet e sakta për çdo fluturim do t’ju bëhen me dije nga Air Albania.
Çmimi i biletës së avionit varion sipas numrit të miljeve të fluturimit dhe aeroportit ku Air Albania do të ulet, por ju sigurojmë se Air Albania do të aplikojë çmime minimale thjesht për të mbuluar një pjesë të kostove të këtyre fluturimeve. Bileta nga Roma në Tiranë kushton 100 Euro.
Për çdo informacion shtesë, apo paqartësi që keni, Ju lutem drejtohuni në faqet zyrtare dhe përdorni numrat e telefonit të vendosura në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.