Si nisi operacioni për heqjen e 165 kamerave të krimit në Shqipëri pas shpërthimit në Shkodër…

Shpërndaje

Informacionet në rrugë operative të Policisë së Shkodrës, të marra gjatë kryerjes së hetimeve për tritolin e vendosur në banesën e shefit të krimeve Pëllumb Shpati, dy javë më parë, inicioi një operacion të gjerë në shkallë vendi, për identifikimin e kamerave të sigurisë të vendosura nga eksponentë të botës së krimit në kundërshtim me ligjin.

59 kamera sigurie u çmontuan në Shkodër në dy faza të operacionit të  quajtur “Fijet” dhe sipas policisë ato përdoreshin nga grupet kriminale për qëllimet e tyre kriminale dhe për monitorimin e Policisë.

Operacioni më pas vijoi në Vlorë, ku u çmontuan 16 kamera. Në Qarkun e Durrësit ishte faza e katërt e tij dhe u çmontuan 47 kamera, teksa nën hetim u morën 8 persona, mes të cilëve personazhe të njohur për policinë dhe të shpallur në kërkim, si vëllai i Pëllumb Muharremit apo Plarent Dervishajt.

Në Korçë dhe Pogradec u proceduan 9 persona, edhe këta të njohur për policinë mesa tyre babai i Erjon Llapushit në kërkim për vrasje, teksa u çmontuan 39 kamera. Faza e gjashtë dhe shtatë e këtij operacioni u zhvillua në Gjirokastër dhe në Dibër. 4 kamera u çmontuan dhe 2 shtetas janë në hetim.

Verifikimet për kamera sigurie të vendosura në kundërshtim me ligjin dhe nga eksponentë të botës krimit janë duke u kryer edhe në Tiranë, nga agjentë të cilët kanë dalë prej ditësh në terren. Deri më tani ende nuk ka finalizim të këtyre verifikimeve.

Tirana jo pak herë është tronditur nga ngjarje kriminale të cilat janë shënuar në një shtrirje të gjerë territorial, nga pranë ato nga Selita, Rrethrrotullimi i Teg, Komuna e Parisit, zona e njohur si Ish-Blloku, por edhe qendra dhe rrugët që lidhen me të. Të gjitha këto zona janë pjesë e verifikimeve të uniformave blu.

Shpërndaje