“Si ndihesh kur shokët e tu janë në burg”? Rama: Ministrat i zgjodha unë, karriget t’i mbajnë vetë…

Shpërndaje

Në emisionin “Opinion”, kryeministri Edi Rama është pyetur nga Blendi Fevziu përsa i përket aferës së inceneratorëve.

Rama është shprehur se është përgjegjësia morale e secilit  prej tyre, të cilët do të përballen me drejtësinë.

Blendi Fevziu: Si ndihesh kur shokët e tu janë në burg, a je ti që i ke marrë në qafë ata që janë në burg?

Edi Rama: Gjërat janë të ndara, raportet personale janë një gjë dhe raporti i punës nga njëra anë me raportin e secilit me ligjin, janë një gjë tjetër.

Blendi Fevziu: Ju keni ditur gjë në këtë moment Z. Rama? (shfaqet videoja e Ramës me Kokën) Në rastin konkret jemi me Lefter Kokën, po pini një gotë verë. Ju a nuk keni asnjë përgjegjësi personale?

Edi Rama: Në rast se ti bën diçka të papritur dhe të pakonsultuar me babain tënd, babai yt a ka përgjegjësi për ty?!

Blendi Fevziu: Jo, patjetër. Kjo video është e fushatës së 2021, a e kishit pyetur a kishte ndonjë të vërtetë mes të gjithë atyre akuzave?

Edi Rama: Po, e kam pyetur veten.

Blendi Fevziu: Dhe si ishte përgjigjia që i dhatë vetes?

Edi Rama: Jo, nuk kishte.

Blendi Fevziu: A e dinit ju që deputetët tuaj, për shembull Z.Bllako kishte shpenzuar shuma marramendëse në fushatë, gjë që është verifikuar dhe nga gazetarët. (Shkrimi i Babaramos)

Edi Rama: Ti kërkon tani nga unë që të marr seriozisht nga unë atë shkrim?!  Ai mund të jetë një fejton komik, por nuk bazhohet mbi fakte. E di sa shkrime ka pasur për mua që jam shefi i Kozanostrës, vërtetohet duke nxjerrë provat ai që i thotë.

Blendi Fevziu: Si erdhi Bllako në listën e deputetëve?

Edi Rama: Ne të jemi të qartë në një gjë, unë me Kokën kam bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer, ka qenë në mandatin e parë të LSI bashkë me Bllakon, kam bashkëpunuar shkëlqyeshëm përsa i përket punës së përbashkët. Koka akuzohet për vepra që nuk i përkasin procesit në vetvete por një marrëdhënie korruptive me subjektet ku individi cilido qoftë, larg qoftë kryeministër, futet vetë apo me shokë por me mua kjo nuk bën vaki. Unë jam shumë i qartë qëkur i jap mandatin për t’u ulur në një karrige. Unë ju them në atë karrige jeni ulur dhe do ta mbani vetë dhe për çdo gjë që ju do të bëni pas shpinës së gjithë këtij grupi këtu dhe time.

Blendi Fevziu: Po përgjegjësi morale a merrni?

Edi Rama: Përgjegjësia ime morale karshi këtyre njerëzve është se kur unë ju them që në këtë vend do të ketë drejtësi dhe kujt i rrëshqet këmba dhe do të identifikohet si njeri që i ka rrëshqitur këmba. Përgjegjësinë morale, marrjen përsipër të shfrytëzimit të postit për të marrë lekë, individët duhen ta paguajnë individualisht.

Blendi Fevziu: Mban përgjegjësi për atë që ndodh në qeveri, për inceneratorët?

Edi Rama: Me Alqi Bllakon unë kam pasur një marrëdhënie jo aq sistematike sa me Kokën, por është një person që përsa i përket punës së dukshme të punës nuk ka të sharë. Nëse i ka bërë ato që thotë, do flasë hetimi.  Këtë çështje e heton SPAK./tvklan.al

Shpërndaje