A M A R C O R D
Si ishte i organizuar Pazari i Shkodrës, në kapërcyellin e shekujve XIX-XX ⁉️
Rruga fillonte në krye të pazarit, me zanatlijtë përkatës, e të parët ishin Arkaxhitë mjeshtrat e arkave të nuseve (bauleve), mbas tyre vinin Dyfekxhitë, që riparonin armë të ndryshme.
Më tutje vinin Teqelit, shitësit e frutave, thirreshin kështu pasi pemëshitsit ishin afër nji Teqeje Bektashijsh. Në vazhdim ishte vendi i drithnave, vendi i elbnave, djathnave, e bylmetit, vajit të ullinit, vezëve, pulave etj.
Në anën e djathtë, ishte Sokaku i Tallaganxhive, që punonin tallagana (veshje e trashë punuar me lesh dhije, pa mëngë, që përdorej si pallto), shajak për tirqe, gjurdija (jeleku).
Më lart konaku i peshkut, ku shitej peshk nga Shiroka e Zogaj, kishte gjelltore, hanin e Ali Tiranes e më pas vinte ndërtesa e madhe e BEGJISTENIT vepër e Vezirëve Bushatllij. Ndërtesa kishte katër dyer të mëdha e të forta e të veshura me pafta hekuri. Kjo ndërtesë, ishte vendi ma i pasur i pazarit. Në të dalë prej kësaj ndërtese, u hyej ne Sokakun E HAMZ AGËS.
Në vazhdim ishin KRYPNAT, ku magazet, ishin të mbushura me kripë të bardhë e të zezë. Aty ishin edhe TERZITE (rrobaqepsat).
Në vazhdim ishin edhe MAGAZET E MËDHA, pjesa aristokrate e pazarit (pasanikët), në të cilat u bëhej tregti me shumicë. Nji karakteristike tjetër e pazarit ishte edhe TRUMA ( pompë uji, me bisht që manovrohej me dorë. Në shekullin XIX Pazari kishte mbi 2500 dyqane, dhe gjashtë xhami.
Vetëm në Bezistenin e vjetër kishte 63 dyqane . Ai ishte ndërtuar në fillim të shek- XIX nga Ibrahim Pashë Bushatlliu. Bezisteni i vjetër kishte katër dyer të fortifikuara, tre prej të cilave mbylleshin nga brenda, ndërsa e katërta, ajo e jashtmja dhe më e madhja, mbyllej në mënyrë demonstrative nga “pazvani”, roja.
Thonë se oshtima e përplasjes së saj dëgjohej deri në shtëpitë e qytetit.
Çelësi i kësaj porte peshonte diku afër gjysmë kilogram. Goditjen e parë të rëndë, Pazari me gjasë e mori nga devijimi i Drinit që sillte përmbytje dhe pamundësi të shfrytëzimit të Bunës fenomen që u bë më i shpeshtë në gjysmën e dytë të shek.XIX.
Hapja e Kanalit të Suezit, që zhvendosi rrugët mesdhetare të tregtisë, por dhe ndërtimi i hekurudhës Selanik-Mitrovicë që i humbi rëndësinë tregtare qyteteve bregdetare por dhe aneksimi i Ulqinit nga Mali i Zi, luftërat ballkanike, ishin shkaqet që pak nga pak lavdia e Pazarit të Shkodrës e rëndësia e tij nisi të humbasë.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore edhe ato pak dyqane që kishin mbetur nisën të shiteshin si lëndë ndërtimi. Në 1964, u dha urdhër që të rrafshoheshin godinat tashmë të braktisura. Fshesa e fundit u dha në 1967, kur u shembën edhe objektet e fundit të kultit që kishin mbetur në lagjet tashmë të rrënuara të hyrjes së qytetit.
DRTK Shkodër