Duket se elementët e sigurisë të kartmonedhave shqiptare po kalojnë testin e sigurisë me sukses. Banka e Shqipërisë raporton shumë pak kartëmonedha false të sekuestruara, por gjithësesi të prodhuara në forma artizanale të nivelit të dobët dhe që në asnjë rast nuk kalojnë testin e paisjeve profesionale të identifikimit të imitimeve.
Sipas raportit të bankës së Shqipërisë për sigurinë e monedhave, përgjatë vitit 2022, janë sekuestruar 343 copë kartëmonedha kombëtare të falsifikuara dhe 79 copë monedha metalike kombëtare të falsifikuara.
Koeficienti i kartëmonedhave të falsifikuara për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim vijon të ngelet në vlera shumë të ulëta. Për vitin 2022, ky koeficient rezultoi në vlerën 2.2. Sa i përket shpërndarjes strukturore të kartëmonedhave të falsifikuara, sipas prerjeve, peshën kryesore e mbajnë prerjet 1000 Lekë dhe 5000 Lekë, të ndjekura nga prerja 2000 Lekë dhe 500 Lekë.
Monedha metalike prerje 50 Lekësh vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të ulët dhe të papërfillshme në raport me të vërtetat, e shoqëruar me trend të theksuar rënës, krahasuar me vitet e mëparshme.
Nga këndvështrimit teknik dhe/ose teknologjik i fenomenit të falsifikimit të kartëmonedhave kombëtare, janë riprodhime të thjeshta me pajisje digjitale komerciale, pothuajse vetëm me teknikën ink-jet me ngjyra, të shoqëruara me aplikime të teknikave artizanale dhe teknologjike për imitimin e elementeve të sigurisë. Ndërsa, elementet e sigurisë të lexueshëm prej makinave/pajisjeve autentifikuese, nuk ndeshen në asnjë rast imitimi.
Lorenc Rabeta / SCAN